Është e qartë tashmë se Europa është duke përjetuar valën e dytë të koronavirusit, me rastet e të prekurve që shtohen çdo ditë. Kjo ka detyruar që shumë shtete europiane të marrin masa, teksa po mendojnë edhe një mbyllje të dytë, pas asaj të marsit. Një nga vendet e para që do ta aplikojë një “lockdoën të dytë” është Anglia.

Kryeministri Boris Xhonson ka deklaruar se për katër javë, duke filluar nga e enjtja, vendi do të mbyllet dhe ato që do të vazhdojnë aktivitetin janë shërbimet e rëndësishme. Megjithatë, ky vendim, të paktën për momentin nuk prek futbollin.

Premier Leagie parashikohet të vazhdojë me dyer të mbyllura, mirëpo është trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, i cili shprehet se futbolli nuk duhet të bëjë përjashtim dhe nëse vendi mbyllet, atëherë për të qenë të sigurt duhet të ndalojë edhe futbolli.

“Është e vështirë. E di që kryeministri po e merr vendimin se situata po përkeqësohet. Ka ndodhur në Spanjë, Gjermani dhe Francë. Gjithandej. Kështu, virusi është ende prezent, mbase edhe më i fortë se më parë thonë njerëzit. Unë mendoj se bota e futbollit nuk mund të jetë një përjashtim nga ajo që ndodh në shoqëri. Kështu, nëse do të na duhet të luajmë, ne do të luajmë.

Por, nuk duam të jemi ndryshe nga pjesa tjetër në momentin kur të mbyllen restorante apo shumë gjëra të tjera. Ky është një pozicion në të cilin unë nuk jam i përfshirë, por unë dua të jem i sigurtë. Dua të jem mirë për veten time, familjen dhe miqtë e mi, për Anglinë dhe të gjithë Britaninë e Madhe. Por, sinqerisht nuk e di”, u shpreh Guardiola, i cili për fat të keq ka humbur të ëmën si pasojë e COVID-19. /VipSport.al/