Premier Liga angleze vazhdon të ketë rolin e “luanit” në merkaton e transferimeve. Edhe kur mungojnë blerjet e yjeve më të mëdhenj të futbollit, shifrat që qarkullojnë në ishull janë të çmendura. Në harkun e vetëm 40 ditëve të merkatos, klubet elitare në Angli shpenzuan 1 miliard e 330 milionë euro.
Mbyllja e shpejtë e merkatos (me datën që u afrua më 9 gusht) nuk ndikoi në shpenzimet marramendëse të klubeve britanike. Ashtu si ndodh zakonisht, nëse për blerjet investohen shifra jashtë çdo logjike, klubet e Premier Ligës përfitojnë fare pak nga shitjet: në rastin konkret afro 391 milionë euro.
Merkatoja e kësaj vere vendosi një rekord absolut: Totenhami nuk realizoi asnjë blerje, duke u bërë skuadra e parë angleze që nuk ndërhyn në merkato, prej momentit të funksionimit të saj në këtë mënyrë në vitin 2003. Mançester Junajtid mbeti gjithashtu shumë mbrapa, me klubin që nuk i plotësoi dëshirat Murinjos.
Ai që dominoi merkaton në Premier Ligë ishte Liverpuli me 182,2 milionë euro të investuara. Nga portieri Alison, te Keita, Fabinjo dhe Xherdan Shaqiri. Çelsi është në vendin e dytë në podium, ndërsa Fulham bëhet skuadra e parë në histori, që menjëherë pas rikthimit në elitë shpenzon mbi 100 milionë euro.
Poshtë tyre nuk janë emrat e mëdhenj, por qëndron Fulhami, që këtë verë ka bërë një merkato të pabesueshme, aq sa mund të hedhë në fushë 11 lojtarë të blerë këtë verë, nëse dëshiron.
PREMIER LIGË/ TOP 10 KLUBET QË SHPENZUAN MË TEPËR
Liverpuli 182,2 milionë euro
Çelsi 137 milionë euro
Fulham 117,5 milionë euro
Lester Siti 114.6 milionë euro
Uest Hem 99.4 milionë euro
Everton 91.9 milionë euro
Man Junajtid 82,7 milionë euro
Arsenal 79 milionë euro
Man. Siti 71,2 milionë euro
Ulvs 70 milionë euro
Blerjet me shifra të “çmendura” nuk munguan, me goditjet më të mëdha që u realizuan në portë. Çelsi afroi Kepa Arrizabalaga nga Bilbao për 80 milionë euro, duke vendosur një primat të ri për blerjen e një portieri.
Rekordi i mëparshëm ishte vendosur pak ditë më parë nga 62,5 milionë eurot e shpenzuara nga Liverpuli për Alison Beker. Në mes të dy “gardianëve” ndodhet transferimi i Mahrez te Mançester Siti për 67,8 milionë euro.
PREMIER LIGË/ 10 BLERJET MË TË SHTRENJTA
Kepa Arrizabalaga (Çelsi) 80 milionë euro
Rijad Mahrez (Man. Siti) 67,8 milionë euro
Alison Beker (Liverpul) 62,5 milionë euro
Nabi Keita (Liverpul) 60 milionë euro
Fred (Man. Junajtid) 59 milionë euro
Zhorzhinjo (Çelsi) 57 milionë euro
Fabinjo (Liverpul) 45 milionë euro
Riçarlison (Everton) 39 milionë euro
Felipe Anderson (Uest Hem) 38 milionë euro
Jerri Mina (Everton) 30.25 milionë euro