Të mësosh gjuhën e kampionatit ku do të drejtosh në mënyrë që të komunikosh sa më mirë me skuadrën dhe të përcjellësh ashtu si duhet mesazhin tënd nuk ka qenë shumë e vështirë për trajnerin spanjoll Unai Emery.
Ai zuri vendin e Arsene Wenger tek Arsenali verën e këtij viti, që u largua pas 22 vitesh, ndaj për Emery sezoni i parë me “topçinjtë” mbetet një test i vështirë, në çdo sens. Që nga komunikimi me lojtarët dhe gazetarët në gjuhën angleze, për të evituar keqkuptimet.
Për t’ia dalë mbanë, ish-trajneri i PSG-së ka ndjekur një mënyrë të thjeshtë, praktike dhe të sigurtë, duke parë telenovelat angleze. Këtë gjë e ka konfirmuar vetë Emery në një intervistë për BBC, duke treguar edhe telenovelën e tij të preferuar. “Shoh gjithnjë “Peaky Blinders”, bashkë me familjen time. Kështu qetësohem dhe njëkohësisht mësoj gjuhën angleze”, tha Emery.
Një zgjedhje jo e rastësishtme kjo e trajnerit spanjoll, pasi personazhet flasin një dialekt tipik të Birmingham, ku duhet shumë kujdes dhe një vesh i stërvitur.
“Shpesh është e vështirë, pasi ka edhe skena agresive, por më pëlqen. Nga dita në ditë anglishtja ime bëhet gjithnjë e më e mirë”, u shpreh Unai Emery./telesport/