Veronës dhe Marash Kumbullës do t’I duhet thjesht të zgjedhin ofertën më të volitshme ekonomike dhe sportive këtë verë, pasi për lojtarin shqiptar është hapur një ankand i mirëfilltë për të siguruar shërbimet e tij. Napoli është tërhequr pasi e sheh se lojtari nuk ka interes për t’u transferuar në klubin e De Laurentis, por Interi dhe Lacio po bëjnë një garë të ndezur për të siguruar shërbimet e djaloshit.
Mediat italiane raportojnë se Igli Tare vazhdon të përmirësojë pak nga pak ofertën për mbrojtësin shqiptar. Edhe pse ai ka folur vazhdimisht me presidentin e Veronës, nuk përmbush ende kërkesat e tij financiare, ndonëse ka çuar shifrat deri në 17 milionë euro, duke ofruar edhe kartonin e Andre Anderson.
Megjithatë, oferta laciale mbetet më e ulët se ajo e Interit, që është gati të paguajë menjëherë 23 milionë euro për ta vendosur mbrojtësin shqiptar nën urdhërat e trajnerit Antonio Konte. Palët vazhdojnë të diskutojnë mes tyre por për momentin, oferta zikaltër duket në avantazh.
Ndërkohë, vetë futbollisti nuk ka shprehur pëlqim mbi njërën skuadër apo tjetrën, i kënaqur që të bëhet pjesë e secilës prej tyre e duke lënë në këtë mes që të jetë klubi ai që do të vendosë, meqë zotëron kartonin e tij. /vipsport/