Duke pritur për të kuptuar të ardhmen në Ligën e Kampionëve, Napoli është i detyruar “të ringjallë” veten nga një situatë problematike në kampionat.
Problemet e fundit ekstra-futboll kanë ndikuar në mënyrë të pashmangshme, gjithashtu, mbi performancën e ekipit, aq sa menaxhmenti po tregohet i kujdesshëm për të vëzhguar me kujdes tregun, duke nisur nga merkatoja e dimrit.
Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, klubi napoletan ka vënë në shënjestër Milot Rashicën, talentin shqiptar të Werder Bremen, tashmë autor i 8 golave në 11 paraqitje në sezonin aktual.
Për sulmuesin e jashtëm kosovar flitet se ka interesim edhe nga Milani, i cili ka nevojë për përforcime pikërisht në atë zonë të fushës.
Nga ana e tij, Giuntoli e ka ndjekur lojtarin e datëlindjes 1996 që nga Vitesse. Klubi gjerman nuk dëshiron të privohet nga xhevahiri i vet në mes të sezonit.
Vetë Rashica ka zbuluar se nuk po mendon fare për “sirenat” e merkatos: “Unë jam shumë i qetë, kam kontratë deri në vitin 2022 dhe luaj në një ekip fantastik”.
Napoli, megjithatë, është i gatshëm të hidhet në sulm për lojtarin e kombëtares kosovare. Kuptohet, një sforco e përballueshme ekonomike do të jetë e nevojshme për ta rrëmbyer Rashicën nga Werder Bremen, i vlerësuar aktualisht jo më pak se 20 milionë euro.
Talenti shqiptar, po ashtu, ka rënë në sy të disa ekipeve angleze, ndaj çmimi i tij mund të rritet së shpejti. Milani dhe Napoli duhet të nxitojnë…/telesport/