Privatizimi i KF Vllaznia sh.a. përmes procesit të ankandit, ka mbetur i bllokuar në Komisionin e Prokurimit Publik në mënyrë të pakuptimtë por edhe në shkelje të afateve ligjore. Pas ankimimit të Almiro Gurakuqit, i skualifikuar nga gara për pjesëmarrje në ankand, akoma nuk ka asnjë përgjigje a reagim nga Komisioni i Prokurimit Publik.
Duke parë ndjeshmëritë e larta për këtë çështje jo vetëm nga tifozët e Vllaznisë, duke e konsideruar pengesë serioze në përgatitjet e klubit shkodran në përgatitjet për sezonin e ri, ShkodraWeb Media i është drejtuar me një kerkesë zyrtare për inforamacion Komisionit të Prokurimit Publik- KPP.
Mbështetur në ligjin 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, përmes komunikimit zyrtar elektronik i është dërguar një shkresë KPP- së, me disa pyetje konkrete, të cilat janë edhe pyetje të shumë tifozëve e dashamirësve të Vllaznisë. Kërkesa për informim është dërguar me 22 korrik dhe deri më sot, 9 gusht 2021 nuk ka asnjë përgjigje. Sipas ligjit të sipërcituar, përgjigja duhej të vinte me postë elektronike brenda 10 ditëve nga disa e nisjes.
Kjo heshtje totale nuk ka shpjegim ligjor dhe natyrisht as moral. Për tre javë nuk ka asnjë reagim, asnjë përgjigje. Ndërkohë, KF Vllaznia sh.a. dhe tifozët, janë në pritje për tu njohur me fituesin e ankandit të shoqërisë aksionare për të vijuar punën. Kerkesa për informacion, për dijeni i është drejtuar edhe kryeministrit Edi Rama si “eprori” direkt i KPP- së. Nuk duam të besojmë se kjo zvarritje është e qëllimshme por të gjitha indiciet të çojnë në këtë drejtim, duke dëmtuar rëndë një ikonë të Shkodrës e Shqipërisë siç është Vllaznia.
Megjithatë, ne po sot, do të dërgojmë një tjetër kerkesë për informacion në KPP dhe nëse do të vazhdojë heshtja dhe “terri informativ”, do të drejtohemi Komisionetit për të drejtën e informimit me një ankesë. Më poshtë, kerkesa dërguar KPP- së me 22 korrik 2021.
Kërkesë për informacion
Drejtuar: Komisionit të Prokurimit Publik, Tiranë
Në vëmendje: Z. Jonaid MYZYRI, Kryetar
Për dijeni: Z. Edi RAMA, kryeministër i Shqipërisë
Të nderuar,
Sipas informacioneve publike, edhe nga institucioni juaj, pranë jush është paraqitur ankimim për çeshtjen e ankandit të KF Vllaznia sh.a. Me shkresën e institucionit tuaj, datë 04.06.2021, ju keni keni pranuar shqyrtimin e ankimimit të z. Almiro Gurakuqi dhe të tjerë, lidhur me ankandin e KF Vllaznia sh.a. Po ashtu, keni kërkuar informacion nga Autoriteti Shtitës (Bashkia Shkodër) lidhur me ankandin në fjalë, i cili duhej depozituar brenda 5 ditëve pranë KPP.
Sipas informacioneve nga Bashkia Shkodër, dokumentacioni i kërkuar nga ana juaj, është depozituar brenda afatit të përcaktuar nga ju.
Në nenin 42, “Procedura e ankimit” të Ligjit Nr. 9874, i ndryshuar “Për ankandin publik”, pika 8 përcaktohet qartë se: “Me marrjen e ankesës me shkrim të ankimuesit, Komisioni i Prokurimit Publik përgjigjet me shkrim brenda 7 ditëve. Kur për shqyrtimin e ankesës kërkohet informacion nga autoriteti shitës, komisioni përgjigjet me shkrim, sipas përcaktimit në rregullat e ankandit publik, por jo më vonë se 20 ditë.”.
Nga një përllogaritje e thjeshtë, na rezulton se ky afat është tejkaluar dhe akoma nuk ka një vendimmarrje nga ana e institucionit tuaj për ankandin e KF Vllaznia sh.a.
Duke qenë një çeshtje mjaft sensitive për opinionin publik, bazuar në Ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, kërkojmë informacion lidhur me ecurinë e deritanishme të këtij ankimimi për ankandin e KF Vllaznia sh.a. Më konkretisht, kërkojmë përgjigje për pyetjet si më poshtë:
1. A ka nisur realisht shqyrtimi i ankimit të z. Almiro Gurakuqi për ankandin e KF Vllaznia sh.a.?
2. Kur ka filluar dhe sa mund të vazhdojë shqyrtimi e vendimmarrja nga ana e KPP- së?
3. A janë tejkaluar afatet ligjore të përcaktuara për shqyrtimin dhe vendimmarrjen eventuale nga ana e KPP- së?
4. Nëse po, cilat kanë qenë arsyet objektive apo subjektive që kanë sjellë këtë tejkalim afatesh?
Kërkojmë që informacioni i kërkuar të dërgohet në rrugë elektronike në adresën tonë zyrtare info@shkodraweb.com, shoqëruar me shkresa e dokumente që ju i gjykoni të arsyeshme për plotësimin e kërkesës tonë. Nëse ka kosto financiare për të marrë këtë informacion, na dërgoni të dhënat tuaja bankare që të kryejmë pagesën sa më shpejt të jetë e mundur.
Në pritje të përgjigjes tuaj,
Me respekt,
ShkodraWeb Media