Ditën e sotme Sektori i Liçensimit të FSHF-së do të publikojë emrat e klubeve që janë pajisur me liçensën për të marrë pjesë në kompeticionet europiane të sezonit 2019/2020.
Proçesi i pajisjes me dokumentacionin përkatës është mbyllur ditën e pardjeshme, ndërsa sot do të zbardhen ekipet që do të përfaqësojnë kampionatin shqiptar në garat e futbollit europian.
Me Partizanin, Kukësin dhe Teutën të konfirmuara, mbetet dhe një vend bosh. Skënderbeu, Flamurtari dhe Laçi presin lajmin e madh ditën e nesërme.
Triumfi i sotëm i Kukësit në Kupën e Shqipërisë ndaj Tiranës 2-1 i jep të drejtën njërës prej 3 skuadrave të sipërpërmendura të synojë për konkurim në fazat e Europa League.
Skënderbeu i vendit të katërt duhet të presë përgjigjen përfundimtare të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës për heqjen ose jo të përjashtimit për 10 vite nga gara europiane futbollistike. Nëse vendimi mbetet në fuqi, bardhekuqtë e humbasin të drejtën të luajnë në Europë.
Për Flamurtarin, problemi është krejtësisht tjetër, pasi klubi vlonjat nuk ka shlyer detyrimet ndaj lojtarëve dhe ka akumuluar borxh të madh.
Nëse Skënderbeu dhe Flamurtari penalizohen për shkak të problematikave që kanë, vendi i hapet Laçit të vendit të gjashtë, i cili financiarisht i ka plotësuar kriteret për të garuar në kompeticionet europiane./newsport/