Hygor Gonzales, mesfushori brazilian i Vllaznisë, do të largohet pas takimit që kuqeblutë do të zhvillojnë ndaj Tiranës dhe do të niset në drejtim të Brazilit. Ai mësohet se ka probleme familjare me shëndetin e dy personave më të afërm të familjes.

Si e shoqja, e cila gjendet prej disa ditësh së bashku me djalin e tyre në Shkodër, po ashtu dhe e ëma, kanë probleme serioze. Ato do të ekzaminohen në vendin e tyre dhe për këtë, Hygor kërkon që të jetë afër tyre.

Një gjë të tillë e shprehu edhe vetë tekniku Mirsad Jonuz, i cili theksoj se gjërat do të diskutohen pas Tiranës. “Hygor do të jetë pjesë e ekipit në takimin me Tiranën. Ai është stërvitur edhe gjatë këtyre ditëve, ndërsa pas këtij takimi, për arsye personale, do të largohet në drejtim të Brazilit.

Ai ka folur si me mua, po ashtu edhe me administratorin, Lici, për një gjë të tillë”, tha Jonuz. Por, ajo që nuk dihet, është sesa kohë do të mungojë ky lojtar dhe për më tepër a do të vijë sërish Hygor për t’iu bashkangjitur Vllaznisë?

Mesa mësohet, lojtari ka kërkuar leje ne klub për afro dy javë, pikërisht periudhën që do të ndërpritet edhe kampionati. Gjithsesi, një lojtarë i tillë, që mund të mungojë edhe në proceset stërvitore, do të jetë një shqetësim jo i vogël për drejtuesit.

Braziliani i mesit të fushës ka qenë një nga lojtarët më të mirë të skuadrës në këto javë dhe pika e referimit të skuadrës në mesin e fushës.