Ansi Agolli, ish-mbrojtësi dhe ish-kapiteni i Tiranës, ka dhënë një intervistë, ku është shprehur në lidhje me lojtarët më të fortë që ai është përballur. Gjithashtu ai përmend edhe ekipet më të forta që ka pasur si kundërshtar.

“Kam pasur shumë momente të bukura në karrierën time, ku i pari ishte kualifikimi në Champions League, në fazën e grupeve, pasi ne si Karabag kaluam të gjitha raundet kualifikuese. Kjo arritje erdhi pavarësisht se skuadra ishte e vogël me një buxhet modest.

Momenti i dytë sigurisht, ishte kualifikimi me Kombëtaren shqiptare për në ‘EURO 2016’ në Francë. Në pozicionin që luaja, natyrisht, përballë meje ishin lojtarët më të talentuar, më të shpejtë të ekipit kundërshtar”, shprehet Agolli fillimisht për “TribalFootball”.

LOJTARËT MË TË FORTË – Agolli zbulon edhe disa nga lojtarët më të fortë që ka pasur ndonjëherë përballë në fushë: “Kishte shumë lojtarë të rëndësishëm kundër të cilëve kam luajtur në nivel klubesh, por edhe për ekipin kombëtar. Do të thosha lojtarë si Florent Maluda, Frenk Riberi, Stefan El Sharaui.

Është një listë e gjatë që do të kërkonte shumë kohë. Për mua, çdo ndeshje kundër këtyre lojtarëve ishte një betejë e ndryshme dhe unë jam përpjekur gjithmonë të bëja më të mirën për të ndihmuar ekipin tim dhe për të minimizuar dëmin që këta lojtarë mund të bënin”.

EKIPET MË TË VËSHTIRA – Ish-mbrojtësi i majtë flet gjithashtu edhe për ekipet më të vështira që është përballur ndonjëherë, teksa veçon Dortmundin e Jyrgen Klopit. “Ndaj Spanjës, një nga ndeshjet më të vështira dhe kundër Dortmundit në vitin 2010 me Klopin si trajner. Çdo titull që kam fituar është i bukur.

Për shembull një titull që ishte shumë emocional për mua ishte kur isha pjesë e Tiranës dhe fituam me Vllazninë në ndeshjen e fundit. Atë ndeshje e luajtëm në Tiranë dhe ishim dy pikë para tyre”, ka përfunduar ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.