Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Ansi Agolli, ka pranuar se për të, ndeshja e sotme për herë të parë si kundërshtar në Shqipëri kishte qenë e veçantë.
Mbrojtësi i Karabak, deklaroi për TVSH se e priste një duel të vështirë përballë Kukësit, aq më tepër duke ditur se kjo skuadër drejtohet nga Armando Cungu i cili përgatit mjaft mirë ndeshje të tilla.
“Kisha emocione, edhe pse kam eksperiencë dhe shumë vite në futboll. Por ishte e kuptueshme se është hera e parë që luaj ndaj një skuadre shqiptare.
Kukësi është skuadër që ka pësuar rritje nga viti në vit, ka një grup të mirë, është një klub i mirë. Para disa vitesh ka kaluar ture në Europë dhe e kishim llogaritur që ishte e vështirë. Unë e kam thënë që Cungu është mjeshtër i eliminatoreve të tilla.
Ky kompeticion ka një specifikë tjetër, luhet në 180 minuta dhe nuk ke kohë të relaksohesh. Që sot duhet të mendosh për 90 minutat e tjera, apo më shumë, varet se si shkon ndeshja.
Të shohim si shkon e ardhshmja, do të mundohemi të bëjmë sa më mirë në fushën tonë. Në futboll është gjithçka e hapur deri në minutën e fundit, eksperienca e ka treguar këtë gjë”, tha Agolli. /vipsport/