Në gusht të këtij viti ai mbush 22 vjeç. Mbase atëherë do të jetë shpallur kampion i Shqipërisë. Do t’i ndodhte për herë të parë në karrierën e tij dhe për këtë arsye, po përjeton momente vërtetë të lumtura. E kemi fjalën për mesfushorin shkodran Ansi Nika që po luan me mjaft sukses për të dytin sezon me rradhë tek Teuta. Madje sivjet po jep një kontribut shumë të madh për këtë skuadër që ajo të shpallet kampione e Shqipërisë. Në një intervisëtë ekskluzive për gazetën online www.shkodrasport.com, Nika do fliste për atë çfarë po përjeton tek Teuta dhe njëkohësisht flet edhe për Vllazninë, skuadrën e tij të zemrës. Ja intervista e tij dhënë për gazetën tonë:

 

-Ansi, keni shënuar të dy golat e ndeshjes ndaj Shkumbinit duke u shndërruar në protagonistin kryesor të Teutës këtë javë. Si ndjeheni pas këtyre golave?

-Sigurisht që ndjehem mirë pasi po i shërbej skuadrës ashtu siç duhet dhe po ia shpërblej edhe besimin që stafi drejtues ka patur ndaj meje duke më aktivizuar gjithnjë si titullar.

-Ka ndonjë dedikim të veçantë për ato dy gola të djeshëm?

-Golat që shënoav ia dedikoj pa diskutim tifozave tanë të zjarrtë se janë lojtari i 12-të për ne.

-Teuta ka përfituar edhe nga humbja e Skënderbeut dhe tashmë është sërish në vend të parë. Si po e përjeton ti personalisht këtë moment?

-Më duket si një ëndërr.Në fillim të sezonit se kisha menduar kurrsesi se do të arrinim këtu por tani që jemi në vend të parë jam shumë i kënaqur dhe shpresoj që të dalim kampion.

-Do jetë Teuta kampione kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje deri në fund?

-Shanset janë të mëdha sepse tashmë çdo gjë është në dorën tonë. Nëse do ndodhte kjo, do ishte një mrekulli sepse po më bëhet një ëndërr realitet, të dal kampion 21 vjeç. Nuk ka gëzim më të madh. Unë shpresoj që të shënoj edhe në ndeshjet e ardhshme sa më shumë gola dhe t’i shërbej ekipit.

-Me Teutën në vend të parë, por besoj se ju vjen keq që Vllaznia ndodhet në pozita aspak të mira?

-Normal që më vjen keq sepse është ekipi që më rriti si futbollist dhe gjithmonë do ta kem në zemër pavarësisht se s’jam pjesë e tij aktualisht. Mendoj se ky ishte një sezon i dështuar për të, por unë theë se Vllaznia mbetet Vllazni dhe gjithmonë ajo do të jetë ndër ekipet më të mira në Shqipëri.

-Ku do ta shohim Ansi Nikën sezonin e ardhshëm?

-S’ mund të them se ku do të jem. Tashti mendjen e kam te Teuta dhe do jap më të mirën që ajo të shpallet kampione dhe unë të ngrejë titullin e parë në karrierën time.

-Drejtuesit e Vllaznisë janë shprehur se për sezonin e ardhshëm do ndërtojnë një ekip pretendent dhe do kërkojnë të kthejnë gjithë shkodranët. Ju jeni i gatshëm ta bëni një gjë të tillë?

-Çdo lojtar ka dëshirë të luajë me ekipin e zemrës, por për momentin s’mund të jap një përgjigje sepse jam në kontratë me Teutën deri në fund të sezonit.

Gjergj KOLA