Mesfushori shkodran që luan për Teutën- Ansi Nika mezi po e pret ballafaqimin e pas dy ditëve ndaj Vllaznisë.Në një prononcim të shkurtër për gazetën online shkodrasport.com, 22 vjeçari thotë se ka një parandjenjë që këtë ndeshje do t’i shënojë gol kuqebluve. “Nuk e di sesi kam një parandjenjë që do shënoj në portën e Vllaznisë këtë ndeshje. Kjo më është fiksuar në kokë prej disa ditësh dhe me shumë mundësi do të realizohet”- ka thënë ai. Në fakt, ndeshja pritet me interes. Shkodranët ndodhen në vendin e dytë në renditje dhe do kërkojnë ta mbajnë këtë vend por edhe në Durrës duan fitore për t’u ngjitur në renditje. Pikërisht për këtë, Nika do thoshte: “Në Shkodër unë kam mësuar të hedh hapat e para, ndërsa të dielën do të jem kundërshtar i Vllaznisë. Mirëpo, futbolli kështu e ka, ndaj duhet të sillemi si profesionistë. Dhe, si i tillë, unë do të bëj gjithçka për Teutën, fanellën e së cilës mbroj, për të dalë triumfues ndaj të besuarve të Duros”, – theksoi Ansi Nika.Ndeshja më Vllazninë është shumë e rëndësishme për ne, ndaj po përgatitemi që ta fitojmë me çdo kusht. Shkodranët meritojnë respekt nga të gjithë, pasi është një nga skuadrat më me traditë në futbollin shqiptar, por kjo nuk do të thotë se qëndron më lartë se ne. Ne kemi treguar se nuk trembemi nga asnjë kundërshtar, çka është vërtetuar në ndeshjet që kemi luajtur, ku në të gjitha kemi hyrë në fushë vetëm me pretendimin për t’i fituar ato. E njëjta gjë do të ndodhë edhe të dielën ndaj Vllaznisë, ku objektivi dihet që është fitorja”. Tashmë duhet të presim ndeshjen e së dielës që nis në orën 17.00 për të parë se çfarë rezultati do dhurojë kjo sfidë dhe nëse Ansi Nika do të shënojë në portën e Vllaznisë.
www.shkodrasport.com