Laçi arriti të fitonte dje ndaj Kamzës, në një ndeshje ku më shumë festuan tifozët e Vllaznisë, pasi u rikthye edhe njëherë shpresa për mbijetesë.

Te skuadra kurbinase, luajnë 3 shkodranë, të cilët bënë të mundur që Vllaznia të besojë të paktën deri të mërkurën.

Në një prononcim për “VIP Sport”, Ansi Nika u shpreh se ndeshja ndaj Kamzës duhej fituar për objektivin Europë, por njëkohësisht edhe për të ndihmuar Vllazninë.

“Dje ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne ku na duhej fitorja për të arritur Europën, por njëkohësisht edhe të ndihmoja ekipin e zemrës, Vllazninë sepse aty jam rritur.

Pavarësisht se nuk luaj për Vllazninë, sërish kam gjak shkodrani. Detyra ime ishte e dyfishtë, duhej të jepja 200% në fushë”, u shpreh Nika.

I pyetur për mbijetesën, Nika është shprehur se Vllaznia mund të qëndrojë mes më të mirave, nëse Partizani luan ndershëm në ndeshjen e fundit përballë Kamzës.

“Për sa i përket rënies së Vllaznisë as nuk dua ta çoj ndërmend që mund të bie. Jam i bindur se nëse Partizani luan ndershëm ashtu siç luajti ndaj Vllaznisë, atëherë Vllaznia nuk bie. Shpresoj qe te luhet drejt ajo ndeshje”, përfundoi Ansi Nika. /vipsport/