FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Ansi Nika: Goli për familjen, por më vjen keq për Vllazninë
Ansi Nika: Goli për familjen, por më vjen keq për Vllazninë
Për Ansi Nikën, dita e djeshme ka qenë speciale. Ai ka shënuar një gol dhe pikërisht në qytetin e Shkodrës, kundër ish-ekipit. Mesfushori, edhe pse i është gëzuar golit, për respekt të qytetit të vendlindjes dhe ekipit prej ku ka dalë, nuk ka festuar. Megjithatë, në fund të takimit, në një bisedë me gazetaret, ai ka rrëfyer se ky gol i dedikohet familjes dhe mikut të skuadrës, Riad Shala. “Çdo gol më gëzon. Por, të jem i sinqertë, ndiej keqardhje, pasi ia shënova ekipit tim të zemrës, Vllaznisë dhe për më tepër në Shkodër. Megjithatë, ne jemi profesionistë dhe si të tillë duhet të bëjmë detyrën te skuadrat tona. Ndaj shënova dhe u lumturova. E vetmja gjë që mund të bëja, ishte të mos festoja dhe kështu veprova. Këtë gol ia dedikoj familjes, si edhe mikut tim Shala”, – tha fillimisht Nika, i cili edhe në takimin e fazës së parë e ndëshkoi Vllazninë në takimin e luajtur në Kavajë asokohe. Megjithatë, shkodrani ka shprehur edhe keqardhjen për pozitat në të cilën gjendet Vllaznia. “Më vjen keq që Vllaznia është në të tilla pozita. Me brumin që ka, skuadra nuk është në vendin ku i takon. Mendoj se shpejt kuqeblutë do të largohen prej fundit të tabelës dhe nuk do e diskutojnë qëndrimin në Superiore”, – shtoi autori i golit të durrsakëve. Më pas, i pyetur nëse do të shikonte mundësinë për një rikthim në fund të këtij sezoni te Vllaznia, ai tha: “Nuk mund të flas kaq shpejt për këtë gjë, por nuk përjashtohet mundësia që të kthehem në Shkodër. Dëshira nuk më ka munguar dhe s’më mungon. Megjithatë, unë aktualisht luaj për Teutën dhe derisa jam këtu do vazhdoj të jap maksimumin për këtë fanellë”.