Gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë në stërvitje me Teutën në Bullgari për t’u përgatitur për ndeshjet e Europa League. Ansi Nika kësisoj ka qenë shumë I përqendruar tek dhënia e maksimumin në çdo seancë stërvitore apo dhe në katër ndeshjet miqësore që janë zhvilluar. Megjithatë edhe gjatë këtyre ditëve, ai sigurisht që e ka patur një sy edhe nga merkatoja. Duke qenë pjesë e një prej ekipeve më të mira të kampionatit, duke qenë nga Shkodra, sigurisht që ai do kishte edhe oferta. Apo dhe dëshira për të luajtur në skuadra cilësore. Mesfushori 23 vjeçar në fakt pëlqehet edhe tek Vllaznia paçka se deri në këto momente asnjë nga drejtuesit e saj nuk I ka bërë një ofertë. Mungesën e një oferte zyrtare nga kuqeblutë e ka konfirmuar dje vetë Nika në një prononcim të tij për gazeten kur ka thënë: “Ideja e rikthimit tek Vllaznia më ka ngacmuar gjithnjë megjithatë të jem I sinqertë gjatë kësaj periudhe nuk kam patur asnjë kontakt me drejtuesit e saj. Në fakt, para se të nisja stërvitjen, kam qenë tre javë në Itali dhe telefoni im nuk ka punuar. Po ashtu, pas kthimit prej atje, isha në Bullgari në fazën përgatitore me Teutën dhe mbase edhe këtë herë ka qenë e pamundur të kontaktohet. Megjithatë, duhet ta përsëris se pavarësisht dëshirës time për t’u rikthyer tek Vllaznia, nga ajo nuk kam patur asnjë ofertë zyrtare. Kështu që unë do shoh të gjithë opsionet e tjera të merkatos”. Kjo në fakt është e habitshme. Drejtuesit e Vllaznisë kanë kohë që kanë filluar të mendojnë për merkaton megjithatë duket se askujt nuk I ka shkuar në mend për Ansi Nikën, një mesfushor nga më të mirët e kampionatit shqiptar. Për më tepër ai është edhe shkodran dhe një futbollist aktualisht pa kontratë. Në kushte të tilla, afrimi I tij do ishte shumë I rëndësishëm. Mbase trajneri Bushati ka mendime të tjera për këtë futbollist por burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se emri I Nikës është përmendur në kandidatët e mundshëm për të qenë pjesë e përforcimeve të kësaj skuadre gjatë merkatos së verës.
Merkato. Ansi Nika ka marrë disa sinjale nga skuadra të ndryshme të kampionatit shqiptar. Mbi të gjithë është Teuta që kërkon të firmosë sërish me të edhe për një sezon tjetër. Trajneri Magani e do në skuadër, e po ashtu ai është një futbollist që I pëlqen shumë presidentit Hasanbelliu. Në kushtet e mosardhjes ende të një oferte zyrtare nga Vllaznia, mesfushori shkodran në fakt nuk ka shumë dëshirë të merret me këtë skuadër. thotë se është duke menduar për të tjera gjëra në kushtet aktuale. “Të them të drejtën nuk ndjehem mirë kur më pyesni nëse kam dëshirë të kthehem tek Vllaznia dhe unë përgjigjem pozitivisht. Jo se unë e shpreh hapur dëshirën time për të qenë sërish pjesë e kësaj skuadre me të cilën u bëra I njohur, por përderisa nuk ka akoma asnjë ofertë zyrtare, duhet të thotë se unë planet e mia duhet t’I bëj ndryshe. Kam një kontratë me Teutën deri pas ndeshjeve të Kupave të Europës dhe më pas do shoh. Do rinovoj me këtë skuadër apo do shoh ndonjë mundësi tjetër. Kjo mbetet për t’u parë edhe në kushtet kur siç e përmenda më sipër, nga Vllaznia nuk kam patur ende asnjë sinjal”- ka thënë Nika për gazetën tonë. Gjërat duken të qarta për të ardhmen e skuadrës shkodrane. Ajo nga njëra anë bën thirrje për kthimin e gjithë shkodranëve kudo që ndodhen, por nga ana tjetër, nuk ka asnjë ofertë zyrtare për Ansi Nikën.
Gjergj KOLA
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Ansi Nika: Më pëlqen Vllaznia por s’kam asnjë ofertë prej saj