Ishte një nga lojtarët më të mirë të Laçit në sezonin që lamë pas, por pas kualifikimit në Europa League, Ansi Nika vendosi të largohej.

Në një intervistë të shkurtër për newsport.al, mesfushori i njohur ka treguar se objektivi i tij personal ishte të arrihej Europa, më pas e ardhmja do të rishikohej.

Tashmë në drejtim të tij kanë mbërritur disa oferta, por ai nuk preferon t’i bëjë publik emrat. Në fund tregon edhe tre trajnerët më të mirë të Superiores. Sipas tij, Lika, Duro dhe Mezani, janë “timonierët” e duhur për të ngritur një skuadër në nivele të larta.

– Jeni larguar nga Laçi. Pse i dhatë fund aventurës me kurbinasit?
Largimi nga Laçi ishte dëshira e imja. Arrita objektivin që të shkonim në Kupat e Europës dhe më pas vendosa të ndryshoja destinacion.

– Ishit një nga lojtarët kryesorë në arritjen e objektivit, Europë. Si janë marrëdhëniet tuaja me drejtuesit e Laçit?

Unë së bashku me shokët e mi dhe trajnerin Mezani kemi meritën kryesore në suksesin e Laçit. Kam luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet dhe kam dhënë maksimumin tim.

– Pas kualifikimit për në Europa League, u largua trajneri Mezani. Pse ai vendim i papritur?

Nuk di ç’të them, veçse trajneri Mezani është ndër trajnerët më të mirë që kam parë ndonjëherë në futbollin shqiptar.

– A keni oferta nga Superiorja?

Po, kam oferta. Por, jam duke pritur njërin nga ekipet, emrin e të cilit nuk dua ta bëj publik.

– Cili është trajneri i duhur për të ngritur një skuadër të Superiores?

Hasan Lika, Klodian Duro dhe Gentian Mezani. Për mua këta janë tre trajnerët e duhur për të ngritur një ekip në nivele të larta. Për mua janë ndër më të mirët për momentin. /Newsport/