Laçi mundi Partizanin në fushën e tij javën e parë të kampionatit, më pas u mund nga Luftëtari dhe Kukësi, ndërsa të shtunën arriti të triumfonte pastër, 2-0, ndaj Vllaznisë. Gjashtë pikë dhe një pozicion komod në renditje, pas këtyre javëve të para, ndërkohë që vendin e Stavri Nicës në stol e ka zënë tashmë vlonjati Gentjan Mezani.

Një ekip i ri, por që premton të bëjë një sezon të mirë, pse jo dhe të kapë Europën.Ansi Nika, i cili është një nga lojtarët më me përvojë të skuadrës kurbinase, vlerëson paraqitjen e saj në fitoren e fundit. Shkodrani ka një “peng”, ndeshjen me Luftëtarin. Sipas tij, Laçi minimalisht nuk duhej të kishte humbur në atë ndeshje në shtëpi.Në një intervistë për “VIP SPORT”, Nika flet me besim për një të ardhme më të mirë për Laçin. Pohon gjithashtu se priste më shumë nga Vllaznia në ndeshjen e fundit.

Ansi, katër ndeshje dhe dy fitore nga Laçi. Si ju duket ky start i kampionatit?

Kur mendon se kemi dy fitore, mund të thuash se starti është i mirë, sigurisht. Por, nëse kemi parasysh faktin se kemi humbur ndeshjen me Luftëtarin në fushën tonë, mendoj se duhet të kishim më shumë pikë, minimalisht një pikë më shumë. Ndoshta sot do të ishim të parët, po ta kishim fituar atë ndeshje. Por edhe fati bën të vetën në ndeshje të caktuara. Gjithsesi, kemi bërë një nisje të mirë.

Duke u fokusuar te ndeshja e fundit me Vllazninë, cili është mendimi, pavarësisht se fituesi nuk gjykohet?

Kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj Vllaznisë dhe e kemi merituar fitoren. E zgjidhëm me dy gola dhe loja ka qenë përgjithësisht më e mirë se e kundërshtarit. Kemi dominuar në fushë. Jemi të kanaqur, sepse luanim para tifozëve tanë dhe fituam pastër.

Një Laç me shumë lojtarë të rinj këtë sezon…

Po, Laçi ka shumë lojtarë të rinj, por është përsëri ai ekipi agresiv dhe me shumë dëshirë për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Lojtarët e rinj dua të tregojnë veten, siç është rasti i Xhixhës, një sulmues i talentuar, që shënoi golat ndaj Vllaznisë. Ka edhe të rinj të tjerë, të cilët do t’i bëjnë punë skuadrës, pasi, siç e thashë edhe më parë, shoh shumë dëshirë tek ata. Nga stafi teknik, si ai i pari, edhe nga ky aktual, punohet shumë mirë.

Janë luajtur vetëm katër javë dhe është shumë shpejt, por, sipas jush, deri ku mund të arrijë Laçi i këtij sezoni?

Në një garë ndikojnë shumë gjëra, por me atë që kam parë, nëse japim gjithmonë maksimumin, punojmë me seriozitet dhe përkushtim, besoj se do të jemi aty ndër vendet e para. Laçi ka edhe një objektiv tjetër, atë të Kupës së Shqipërisë, ku gjithmonë ka bërë mirë. Shorti sikur na favorizon pak dhe do të bëjmë gjithçka për t’i shkuar deri në fund. Do të provojmë gjithçka për të shkuar në Europë, pse jo?

Sa ju penalizon fakti që sulmi nuk ka ende të gatshëm një lojtar me përvojë si Rexhinaldo?

Ndoshta kemi vuajtur në sulm, por ju e patë që Xhixha, një djalë i ri që punon fort dhe me shumë seriozitet, na ndihmoi në ndeshjen me Vllazninë. Presim Rexhinaldon, për vlerat e të cilit nuk është nevoja të flas, pasi i pamë të gjithë sezonin që shkoi. Ka pasur probleme fizike, por tani do të stërvitet me grupin dhe ndoshta do të jetë gati për ndeshjen e radhës me Skënderbeun.

Ju e njihni shumë mirë Vllazninë. Çfarë mendimi keni për paraqitjen e saj në Laç?

Për të qenë i sinqertë, prisja të luante më mirë, madje më ka befasuar. E njoh mirë, ka shumë lojtarë me emër dhe përvojë dhe prisja më shumë. Por ndoshta ishte një ditë e keqe për ta. Si shkodran, i uroj suksese Vllaznisë!

A pati një ofertë për ju gjatë verës nga Vllaznia, pasi emri juaj është përfoluar në shtyp?

Kam pasur kontakte me drejtuesit, por jo një ofertë. Natyrisht, çdo shkodran dëshiron të luajë për skuadrën e qytetit të tij dhe unë nuk bëj përjashtim. Por jo gjithçka varet nga dëshira e një lojtari. Nuk di ta them me siguri, por, me sa kam dëgjuar, nuk kam qenë në dëshirat apo listën e trajnerit të Vllaznisë. Gjithsesi, e përsëris, dua ta shoh Vllaznisë sa më mirë. Tani dua të bëj më të mirën me Laçin.