Sezonin e kaluar, Vllaznia kishte një futbollist që herë pas here nxirrte ekipin nga situata me golat e tij dhe bëhet fjalë për kroatin, Ante Aralica. 26-vjeçari ishte ndër të vetmit që u “mbijetoi” largimeve të të huajve këtë merkato vere, me shpresën se do të ishte sërish ai që do t’i garantonte golat skuadrës edhe këtë sezon.

Megjithatë, kjo gjë nuk po ndodh dhe Vllaznia ka vuajtur jo pak me golat në këto shtatë javë të para, ku ka shënuar vetëm gjashtë, duke mos arritur as mesataren e një goli për ndeshje. Një situatë që askush nuk e mendonte fillimisht, si në klub, ashtu edhe vetë futbollisti.

Sezonin e kaluar, kroati ishte ndër shënuesit më të mirë të Vllaznisë me 10-gola në Superiore, por që duket se këtë sezon është “fikur” plotësisht dhe nuk po preferohet më nga trajneri Mirel Josa. Futbollisti, i ndikuar paksa edhe nga dëmtimet, ka humbur disi atë shkëlqimin e tij dhe nga një titullar i padiskutueshëm i Brdariç dhe Plorit, tek i cili ishin varur shpresat e golit, këtë sezon po qëndron në stol dhe po i rezervohen pak minuta në fushë.

Në dy sfida deri më tani me Egnatian dhe Partizanin, Josa e ka aktivizuar si zëvendësues, por pa lënë gjurmë, teksa tashmë situata ka ardhur në pikën, ku me trajnerin kryeqytetas, as si rezervë nuk po i mundësohen hapësira. Edhe për sfidën e Kupës me Flamurtarin të mërkurën, gjasat që 26-vjeçari të hidhet në fushë nga minuta e parë duken të pakta, por tashmë një gjë është e sigurtë që, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, nuk e ka në preferencat e tij.
Maringlen ZHIVANI