Skënderbeu do vizitojë sot Shkodrën për ndeshjen kundër Vllaznisë në kuadër të javës së 13-të të Superligës.
Korçarët vijnë pas fitores së fundit në shifrat 2-0 kundër Egnatias. Sukses që ka sjellë entuziasëm në rradhët e “ujqërve” që duan të vijojnë në rrugën e rezultateve pozitive.
Duket se trajneri Migen Memelli nuk do ndryshojë asgjë në formacion nga ndeshjet e fundit. Kështu në portë pritet Rexhepi. Përpara tij treshja e zakonshme me Bajrami, Sadrija dhe Vitija. Në krahë priten të përhershmit Zguro në të majtë dhe Meksi djathtas.
Dilema për kreun e pankinës korçare mbetet se kush do jetë titullar mes Vangjelit dhe Jean Victor ku njëri prej tyre pritet ti bashkohet Mares dhe Moraes në mesfushë. Sulmi nga dyshja Mensah-Berisha pritet të kompletojë edhe 11-tshen titullare të bardhekuqëve.
Memelli nuk heq dorë nga skema 3-5-2 që e përdor prej sezonit të shkuar ku u vu në krye të Skënderbeut. Korçarët edhe sot do përpiqen të marrin pikë në “Loro Boriçi” përballë një Vllaznie që gëzon një formë shumë të mirë në javët e fundit.
Endri ÇINARI