Anton Cena është Kampioni i ri i Europës në sportin e xhudos në kategorinë për “Mjeshtër”. Kosovari ka marrë medaljen e arit duke zënë vendin e parë në eventin e zhvilluar në Leibitz të Austrisë për tre ditë me radhe në datat 10 nëntor – 13 nëntor.
Ai ka përfaqësuar Shqipërinë duke qenë se Federata e kosovare e xhudos nuk është pranuar akoma nga Federata Europiane e Xhudos. Cena ka bërë një paraqitje të shkëlqyer. Kosovari ka fituar të 4 ndeshjet duke arritur të jetë më i miri. Cena ka garuar në peshën 66 kilogramë për mjeshtër. Rivaliteti në këtë europian ka qenë i madh sepse aty kanë marrë pjesë xhudistët më të mirë të Europës për “Mjeshtër”. 19 pjesëmarrësit janë ndarë në katër grupe në këtë europian. Cena është përcaktuar në grupin D. Kështu ndeshjen e parë e ka zhvilluar ndaj francezit Christophe Jeandenand duke e mundur pa probleme. Cena në sfidën e dytë ka patur përballë një kundërshtar nga Austria. Edhe pse me një vendas, kosovari ka arritur të jetë i sukseseshëm duke fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj austriakut Herman Schmoelzer dhe duke zënë vendin e parë në grupin D e duke u kualifikuar kështu në gjysmëfinale. Cena ndë ndeshjen e tretë është përballur sërish me një francez ashtu si në sfidën e parë. Kosovari këtë herë ka patur përballë xhudistin Jean-Luc Garcia. Kosovari sërish ka bërë një paraqitje të mirë duke marrë edhe fitoren e duke qenë kështu njëri nga finalistët. Cena në finale ka patur një duel shumë të fortë sepse përballë ka patur përfaqësuesin e Rusisë Yuri Sikoev. Me një takim shumë të mirë, Cena është treguar i kujdesshëm dhe tepër i matur duke arritur ta fitojë ndeshjen. Ai merr kështu vendin e parë dhe automatikisht medaljen e arit që është e para në karrierën e tij në kategorinë “Mjeshtër”. Më parë Cena njëherë NënKampion Europe, dy herë të tjerë është shpallur i treti në Europë, një herë NënKampion Bote dhe një herë tjetër i treti në Botë. Pas shumë tentativash dhe një përgatitje intensive arrin të marre vendin e parë në Europian. Cena është Rreshter në Policinë e Kosovës dhe gjithashtu “Instruktor i Shkathtësive Operativë të Policit” pranë “Qendrës së Kosovës për Siguri Publike Edukim dhe Zhvillim”. Duke qenë se në punën e tij ka kushte shumë të mira stërvitore ka arritur të përgatitet maksimalisht dhe tashmë të jetë edhe fitues i medaljes së arit në Europian. Pas këtij rezultati Cena është shprehur tepër i lumtur dhe ka falenderuar Shqipërinë për shansin që i ka dhënë duke u përfaqësuar në Austri si dhe akademinë “Albania Xhudo Kodokan” për mbështetjen e plotë nga Presidenti i kësaj Akademie Anton Shkoza, pjesë e së cilës është edhe vetë Cena në rolin e trajnerit. Cena bashkë me Shkozën do të tentojnë që mjshtërinë e tyre ta vënë në shërbim për të rinjtë që dëshirojnë xhudon në mënyrë që edhe ata të përsërisin rezultatet e Cenës në arenën Ndërkombëtare.
Ndeshjet e Cenës në peshën 66 kilogramë:
Grupi D:
1)Christophe Jeandenand (Francë) – Anton Cena
2)Herman Schmoelzer (Austri) – Anton Cena
Gjysmëfinale:
Jean–Luc Garcia (Francë) – Anton Cena
Finale:
Juri Sikoev (Rusi) – Anton Cena