Volejbolli shqiptar i meshkujve po njeh rritje dhe këtë e tregon më së miri edhe fitorja e kombëtares shqiptare ditën e djeshme ndaj Kroacisë me rezultatin 3-1.

Kjo ka qenë fitorja e dytë pas asaj me Austrinë pak kohë më parë dhe në të dy këto suksese, një nga protagonistët kryesorë ka qenë shkodrani Anton Qafarena.

40 pikë në fitoren e parë, 23 në të dytën dhe sërish i vlerësuar si lojtari i ndeshjes, e tregojnë më së miri rolin që ai po luan në ekipin tonë kombëtar.

Jo më kot, në takimin e djeshëm, në mungesë të Husajt, ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai e pranon se niveli i kombëtares ka ardhur duke u rritur dhe madje ajo ka shanse edhe për kualifikim.

“Mendoj se po bëjmë mirë. Jemi një grup i cili po tregohet i barabartë me të gjithë ekipet e tjera dhe jo më kot kemi ende shanse për kualifikim kur kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të eliminatoreve.

Sa për formën time, sigurisht që duke luajtur në Bundesligë, niveli ka ardhur duke u rritur dhe prandaj po jap kontributin tim edhe për ekipin kombëtar”- është shprehur ai.

Por nga ana tjetër, të enjten Qafarena do të udhëtojë sërish drejt Gjermanisë ku do të nisë sezonine e tij të dytë në Bundesligë me ekipin Buhl.

Karriera e tij po njeh vetëm rritje dhe ai ka besim se edhe niveli do të vijë duke u rritur sërish. “Do nis sezonin tim të dytë në volejbollin gjerman dhe kuptohet që kjo do më ndihmojë për t’u rritur edhe më shumë nga ana profesionale”- shton ai.

21 vjeçar shkodran në këtë mënyrë po shfaqet gjithnjë e më shumë si protagonist dhe me siguri që nga viti në vit do të shndërrohet në një simbol të volejbollit shqiptar.
© shkodrasport.com