Brenda pak muajve, jeta e tij ka ndryshuar tërësisht. Anton Qafarena ka lënë Shkodrën dhe Vllazninë duke u sistemuar në Gjermani tek Buhl. Me këtë ekip, 20 vjeçari po jep kontributin e tij dhe pak ditë më parë sëbashku me shokët e skuadrës kanë festuar daljen në finale të Kupës së Shqipërisë. Antoni në një prononcimin të tij ekskluziv për gazetën “SHKODRA SPORT” flet për shumë gjëra që kanë të bëjnë me aventurën e tij të re.
Ndiqni më poshtë intervistën e tij për gazetën tonë:
-Anton, si ju kanë shkuar gjërat me ekipin tuaj të ri?
-Të them të drejtën më mirë nga sa e prisja. Kuptohet që ka qenë pak i vështirë fillimi sepse si i thonë asaj shprehjes, “kur ndërron vend, edhe gripi të kap më shpejt”. Po ashtu edhe në aspektin sportiv, jam ingranuar si duhet tashmë dhe besoj se jam pjesë e rëndësishme e ekipit. Në muajt e parë në fakt kam patur disa probleme me një dëmtim të vjetër në shpinë por falë terapisë së bërë, çdo gjë kaloi dhe tashmë po luaj normalisht me ekipin. Jam shumë i lumtur. Po përjetoj një kënaqësi të madhe profesionale sepse po realizoj ëndërrën time. Të luash në Gjermani, në një nga kampionatet më të forta të Europës, nuk është e lehtë dhe mundësi që u jepet shumë shqiptarëve.
-A mund të na thoni çfarë është ky ekip, Volejball Bisons Buhl?
-Një ekip i cili sidomos këto vitet e fundit, ka qenë gjithnjë protagonist në Superligën gjermane. Shpeshherë investimet e bëra për të kanë qenë të mëdha, ndonëse i kanë munguar trofetë. Edhe vitin e kaluar patën pretendime për të fituar titullin kampion dhe Kupën por nuk ia dolën. Madje, ndonëse në rradhët e ekipit ishin lojtarë të mëdhenj dhe me shumë reputacion, ai u rendit vetëm në vendin e shtatë në kampionat. Kjo gjë solli njëfarë zhgënjimi tek drejtuesit të cilët sivjet kanë ndryshuar strategji.
-Në çfarë drejtimi kanë ndryshuar strategji?
-Drejtuesit nuk janë bazuar më tek emrat por tek aftësitë e lojtarëve që kanë marrë në ekip duke ofruar kryesisht të rinj që premtojnë. Ju kujtoj, se mosha mesatare e ekipit është vetëm 23 vjeç. Lojtarët e ardhur në fakt nga vendet e tjera janë të shumtë. Unë vij nga Shqipëria por janë edhe shtatë të tjerë që kanë ardhur nga vende të ndryshme, si nga Rusia, Ukraina, Suedia, Kuba, Argjentina, Luksemburgu dhe një lojtar shumë i mirë që ka ardhur nga Japonia.
Vendasit kanë qenë shumë mikëpritës me ne, madje meqënëse vijmë nga shtete të ndryshme, në pallatin e sportit ku i zhvillojmë ndeshjet, kanë vendosur të gjithë flamujt e shteteve tona. Pra, aty është edhe flamuri shqiptar dhe kjo më ka bërë të ndihem edhe më mirë në këtë vend.
-Pak ditë më parë, bashkë me ekipin tuaj arritën një rezultat shumë të mirë, siguruat finalen e Kupës së Gjermanisë. Ka qenë i pritshëm ky rezultat nga drejtuesit?
-Edhe po, edhe jo. Këtu niveli është shumë i lartë dhe ka ekipe që janë shumë të mira. Por ne po bëjmë mrekullinë dhe me rezultatet që kemi arritur, mbase jemi surpriza e këtij sezoni. Kur shkon në finale të kupës, padyshim që objektiv tashmë është fitorja e këtij trofeu. Ky do të ishte rasti i parë që Buhl fiton Kupën e Gjermanisë.
-Po në kampionat, cila ka qenë ecuria e ekipit tuaj?
-Jemi në vendin e pestë në renditje, vetëm një pikë larg vendit të katërt. Edhe këtu jemi brenda objektivave sepse në play-off shkojnë gjashtë ekipe megjithatë ne synojmë të kapim për momentin vendin e katërt.
-Besoj se këto rezultate kanë entuziasmuar të gjithë ambjentin që ju rrethon, apo jo?
-Patjetër. Edhe nëse e mbyllim sezonin këtu, objektivi është arritur. Megjithatë nuk do ta lëmë me kaq. Do të synojmë ta mbyllim këtë sezon në mënyrën më të mirë të mundshme.
-Në ndeshjen gjysmëfinale, keni spikatur duke qenë një nga pikëshënuesit më të mirë të ndeshjes dhe faktor përcaktues për fitoren e ekipit tuaj. A keni marrë përgëzime nga stafi?
-Padiskutim që po. Ndjehem i vlerësuar dhe i respektuar megjithatë kjo nuk do të thotë se duhet të kënaqem me kaq.
Këtu ka një konkurrencë shumë të madhe dhe duhet të jesh gjithmonë në maksimumin tënd.
-Kaq shumë konkurrencë ka në ekip?
-E thashë edhe më lart, janë 8 të huaj në ekip. Ato nuk i kanë marrë kot por për të dhënë maksimumin e tyre. Shto edhe lojtarët gjermanë dhe kësisoj secili dëshiron të jetë në fushë. Nëse gabon në një moment dhe nuk je në formën e duhur, duhet të hapësh krahun se nuk ka kush kohë të të presë.
-Stërvitja që zhvilloni është e lodhshme?
-Shumë. Aq sa, në darkë kur mbaroj seancën e fundit mezi pres të shkoj në shtëpi e të ulem në shtrat. Tre ditë në javë zhvillojmë nga tre seanca dhe stërvitja shkon deri në 7 orë. Në fillim e kisha të vështirë sepse nuk isha mësuar me këtë ritëm në Shqipëri por me kalimin e javëve u ambjentova dhe tashmë e përballoj me sukses.
-Trajneri është gjerman apo i huaj?
-Këtu i gjithë stafi i trajnerëve është i huaj. Kryetrajneri është argjentinas, ndihmësi i tij i parë italian, ndihmësi tjetër spanjoll ndërsa edhe përgatitësi atletik është po nga Argjentina. Vetëm stafin mjekësor kemi gjerman.
-Në këtë konglomerat të huajsh, në çfarë gjuhe komunikoni në stërvitje dhe në ndeshje?
-Flasim anglisht. Për fat të mirë, mësimi i kësaj gjuhe në Shkodër më rezultoi diçka me shumë vlerë dhe kjo më ka ndihmuar shumë.
Megjithatë, kemi një porosi nga drejtuesit e klubit që ne si të huaj, të mundohemi për të mësuar sa më shpejt gjuhën gjermane.
-Përse?
-Arsyeja është se ekipi jonë ka shumë tifozë të cilët na ndalin kudo nëpër rrugë dhe duhet ti respektojmë dhe prandaj me ta, duhet të komunikojmë në gjermanisht. Kjo gjuhë na ndihmon padyshim në marëdhëniet me mediat sepse interesi për ekipin tonë është jo i vogël.
-Kaq shumë tifozë ka Volejball Bisons Buhl?
-Shumë. Në çdo ndeshje që ne luajmë në fushën tonë, pallati i sportit që ka një kapacitet prej 1500 vendesh, është i mbushur plot e përplot. Madje, po ju them se për ndeshjen finale të Kupës që do të zhvillohet në një qytet tjetër, në një pallat sporti me kapacitet prej 15 mijë vendesh, deri më sot tifozët tanë kanë blerë 2 mijë bileta. Të mos harrojmë se finalja do jetë në mars dhe deri atëherë numri i tyre ka për tu tre apo katërfishuar.
-Qyteti ku jeton është i madh?
-Jo, është një qytezë në periferi të Shtutgartit dhe volejbolli është sporti më i dashur dhe më i suksesshëm i gjithë banorëve të saj të cilët janë shumë të dhënë pas kësaj loje dhe pas këtij ekipi. Po ju jap vetëm një shembull: Kam mësuar se pak vite më parë, ekipi kaloi një krizë dhe sponsorët që ishin në krye të tij, u larguan.
Buhl rrezikonte shkrirjen por këtë gjë nuk e lanë banorët e këtij qyteti të vogël. Ato u mblodhën të gjithë, vendosën të sponsorizonin secili sipas mundësive që kishin dhe ia dolën ta mbajnë ekipin pa u shkrirë.
-Po sot, kush e sponsorizon atë?
-Sot ekipi ka një sponsor shumë të fuqishëm. Ajo është kompania e madhe e pjesëve të këmbimit të makinave “LUC” i cili ka garantuar vazhdimësinë e ecurisë së tij.
-Anton, ndërkohë cila është kontrata juaj me Buhl?
-Kam një kontratë 1+2 të cilën e kam firmosur në fillim të këtij sezoni.
-Ka ndonjë interesim nga ekipe të tjera gjermane?
-Po, kanë filluar interesimet e para. Menjëherë pas ndeshjes gjysmëfinales së kupës, menaxherë të ndryshëm më janë ofruar por unë për momentin jam i fokusuar tek ekipi im. I detyrohem shumë sepse më besuan një kontratë kur askush ndoshta nuk më njihte jashtë Shqipërisë dhe tashmë duhet t’ua shpërblej këtë besim.
Në të ardhmen mbase mund të ketë ndonjë lëvizje tjetër por për momentin jo.
-Sakaq, për kombëtaren shqiptare. Si e shikoni të ardhmen e saj?
-Besoj se niveli i saj ka për të ardhur duke u rritur. Fakti që tashmë jemi edhe 2-3 lojtarë të tjerë që luajmë jashtë vendit, do të thotë se është rritur edhe cilësia e ekipit kombëtar dhe në eliminatatoret e ardhshme, shpresojmë të bëjmë më mirë.
Gjergj KOLA