Volejbollisti shkodran Anton Qafarena ka mbyllur një sezon të parë shumë të suksesshëm në Gjermani me ekipin e tij Buhl Bisons duke arritur në plej-of të kampionatit dhe në finale të kupës së këtij vendi. Natyrisht që nuk ka qenë e lehtë për të, të përshtatet dhe të luajë në njërin prej katër kampionateve më të forta të Europës siç është Bundesliga gjermane.
Gjatë këtyre ditëve ai ndodhet pranë familjes në Shkodër dhe në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” shpreh emocionet e të luajturit në këtë kampionat dhe atë se si ia ka dalë ta përballojë me sukses aktivizimin në këtë kampionat.
“Natyrisht që nuk ka qenë e lehtë të ambjentohem dhe të aktivizohem në një kampionat si ai i Gjermanisë. Unë vija nga kampionati shqiptar që ka një nivel më të ulët dhe më është dashur të punoj shumë por ia kam dalë.
Vërtetë kam përjetuar emocione gjatë aktivizimit tim me Vllazninë por të luash në finalen e kupës së Gjermanisë në një pallat sporti me 15 mijë spektatorë, ka qenë një emocion shumë i madh. Shpresoj të mos jetë i fundit sepse karriera ime atje sapo ka nisur dhe besoj se do të shkoj edhe më lart”- është shprehur volejbollisti shkodran i Buhl Bisons.
Për Qafarenën ka vetëm pak ditë pushim sepse në gusht do të grumbullohet me kombëtaren shqiptare për ndeshjet eliminatore të Europianit dhe më pas do të niset drejt Gjermanisë për t’iu bashkuar skuadrës së tij.
I pyetur se çfarë pret nga ky sezon i dytë në Gjermani, ai shprehet: “Besoj se ka për të qenë një sezon edhe më i mirë për mua sepse tashmë nuk kam më probleme me ambjentimin.
Edhe skuadra mendoj se do të paraqitet më mirë në sezonin e ri sepse është thuajse e njëjta përbërje dhe tashmë e njohim njëri- tjetrin, çka do të na ndihmojë për të arritur rezultate edhe më të larta”.Natyrisht që ky sportist i talentuar meriton më shumë vëmendje.
Të luash në Bundesligë është një arritje e madhe për një volejbollist shqiptar dhe 20 vjeçari për më tepër, premton edhe më shumë në karrierën e tij të mëtejshme.
www.shkodrasport.com