Antonio Kasano është i bindur që Interi do të fitojë kampionatin italian në këtë sezon sepse është disa hapa përpara ekipeve të tjera dhe askush nuk mund ta rivalizojë.KasanoNë analizën e përjavshme të emisionit “Viva El Futbol” së bashku me Adanin dhe Ventolën, ish-sulmuesi zikaltër madje thumbon të tjerët duke thënë se Inzagi mund ta fitojë titullin kampion edhe me skuadrën e dytë që ka në dispozicion.

“Kisha impresionin gjatë ndeshjes me Leçen që Interi po e vendoste vetë ritmin. Nuk duhet të harrojmë që jemi ende në gusht dhe skuadra është stërvitur shumë pak e plotë sepse lojtarët kanë qenë në Europian. Por Inzagi ka në dispozicion dy skuadra dhe nëse zbret të gjithë ekipin e dytë në fushë, sërish do ta fitojë titullin kampion. Interi është shumë, po shumë i fortë në krahasim me të tjerët. Nuk ka ndryshuar asnjë lojtar nga viti i kaluar dhe për më tepër ka shtuar 2 kampionë të mëdhenj si Zielinski dhe Taremi”, tha fillimisht Kasano.

KRITIKAT- Pas elozheve, “FantAntonio” ka edhe kritika për Simone Inzagin. “Tiago Mota merr shumë lojtarë të rinj dhe i aktivizon duke lënë në stol titullarët. E dini sa gola ka shënuar Barela vitin e kaluar? Vetëm një. Fratezi ka shënuar 7 dhe ka luajtur tre herë më mirë. Pyetja ime është? Pse nuk e aktivizon Fratezin si titullar? Dhe për mua nuk është ndonjë lojtar për të cilin shkul flokët, të jemi të qartë. Fratezi ka më shumë vrull, duhet të luante 3 fishin e këtyre ndeshjeve që ka luajtur si titullar. Unë do t’i kisha këshilluar që nëse ka mundësi, të shkojë në një skuadër të tipit Roma.

Shpresoj që të luajë sepse është një djalë pozitiv dhe kurrë nuk ka thënë një fjalë edhe pse nuk luan. Në idenë e Inzagit janë vetëm 11 futbollistë dhe në minutën e 60-të bën zëvendësimet kokë më kokë. Shoh që këtë sezon do të ketë alternime mes Zielinskit dhe Mkitarianit, pastaj asgjë tjetër. Në kampionat i shoh zikaltrit si favoritë, por në Champions jo. Vetëm një herë ndodh që gjatë rrugës të kesh skuadra si Porto, Benfika dhe Milani. Nëse ka një problem Interi, lidhet me menaxhimin që trajneri iu bën futbollistëve. Për pjesën tjetër është shumë i fortë”, ka thënë Kasano.