Antonio Conte ka konfirmuar se Napoli ‘do të ishte i çmendur të mos besonte’ në shanset e tyre për të fituar Scudetto këtë sezon. Napoli humbi kryesimin pas një serie rezultatesh të dobëta, duke arritur vetëm një fitore, pesë barazime dhe një humbje ndaj Comos që nga fillimi i shkurtit.
Megjithatë, Conte ka shpresë se ata mund të rimarrin kryesimin nga skuadra e Interit, që po lufton në tri fronte: Ligën e Kampionëve, Serie A dhe Kupën e Italisë.
“Do të jemi të çmendur të mos besojmë”. Na kanë mbetur edhe nëntë ndeshje deri në fund të sezonit, jemi tre pikë larg liderëve, kush nuk do ta mendonte pak?”, ka thënë fillimisht trajneri italian në konferencën e tij për shtyp.
“Edhe me të gjitha pikat tona të forta dhe të dobëta, ne jemi ende atje lart, një pozicion që askush nuk mund ta imagjinonte në fillim të sezonit. Prandaj është e drejtë të besojmë dhe të japim gjithçka që kemi. Ne duhet të largohemi nga fusha me fanellat tona të njomura me djersë”.
“Vetëm një skuadër mund të fitojë Scudetton, por vendet e Ligës së Kampionëve janë gjithashtu në ekuilibër. Ne duhet të shohim gjithmonë përpara dhe të jemi të fokusuar vetëm në vendin e parë”.
“Presioni është mbi ata që janë përpara dhe janë të detyruar të fitojnë, ose që po luftojnë për të shmangur rënien nga kategoria”, përfundoi Conte. /Telegrafi/