Antonio Konte do të jetë trajneri i ardhshëm i Napolit. Ajo që përflitej prej ditësh pritet vetëm të zyrtarizohet, pasi mediat italiane kanë bërë të ditur se palët kanë gjetur më në fund akordin e përbashkët për bashkëpunimin.
Palët ishin në bisedime prej ditësh dhe jo vetëm për projektin teknik, por edhe për marrëveshjen kontraktuale mes tyre.
Kontrata pritet të zgjatë për tre vite, por për të hedhur firmat në akord duheshin që përfaqësuesit dhe palët të shqyrtonin në detaje klauzolat e shumta që si trajneri, ashtu edhe presidenti i klubit napolitan, vendosin në marrëveshjet që nënshkruajnë,
Pas shqyrtimit të qindra klauzolave të ndryshme të të dy palëve, por edhe të saktësimit të detajeve financiare për teknikun dhe stafin e tij, sot raportohet se palët kanë gjetur akordin përfundimtar dhe që nga e hëna, Konte pritet të prezantohet si trajneri i ri i këtij ekipi.