Nga Gjergj KOLA
Një futbollist 18 vjeçar shkodran po bën mirë në Itali dhe shumë shpejt mund ta shohim duke i ngjitur shkallët e karrierës dhe duke luajtur në ekipe të njohura të këtij vendi dhe jo vetëm. Ai quhet Antonio Leka.
Po spikat me ekipin Pontedera U19 ku luan në rolin e mesfushorit të krahut, teksa trajnerët e aktivizojnë sa në krahun e djathtë edhe në të majtin. Është 1.80 metra i gjatë dhe peshon 74 kg. Luan vazhdimisht titullar me këtë ekip ku është ndër më të mirët dhe si rrjedhojë shpeshherë është në stërvitjen edhe me ekipin e parë të Pontederës që militon në Seria C.
Po kush është Antonio Leka?
Është i datëlindjes 05 korrik 2005, ka lindur në Itali dhe si rrjedhojë ka përpos asaj shqiptare, ka edhe nënshtetësinë italiane, megjithatë duket shumë i lidhur me vendin e prindërve të tij dhe kjo dallohet qartë edhe nga të folurit shumë mirë i dialektit shkodran.
E ka filluar futbollin që në moshë të vogël, kur ka qenë vetëm 8 vjeç. Në vitet 2013-2016 stërvitet në Shkollën e Futbollit të Milanit në Pieve Fissiraga duke luajtur rregullisht me ekipin e parë të këtyre grupmoshave.
Në vitin 2016 do të kalonte tek “Società Pergolettese Calcio” e cila merr pjesë në Seria C dhe do të luante aty deri në vitin 2019. Më pas kalon tek Novara FC dhe Sant’Angelos FC. Për të mbërritur në janarin e vitit të shkuar kur ndërmerr një vendim të vështirë, por e ka bërë me shumë dëshirë për të ndjekur ëndërrat e tij.
Vendos të largohet nga Lombardia ku ka lindur, për të shkuar në Toskana, 350 km larg shtëpisë dhe familjes së tij, për të vijuar atje karrierën futbollistike por edhe për të ndjekur shkollën teksa vazhdon “Liceo scientifico”.
Sa i takon sportit, rregjistrohet tek Pontedera FC ku e mirëpresin dhe që nga momenti i mbërritjes dhe deri më sot është titullar i padiskutueshëm me ekipin U19. Njëkohësisht stafi i ekipit të të rriturve të këtij klubi e ka ftuar vazhdimisht në stërvitje dhe me shumë siguri verën që vjen do t’i ofrojnë edhe firmosjen e një kontrate profesioniste.
Antonio ndërkohë asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur me ekipet kombëtare të moshave të Shqipërisë. Ka marrë pjesë disa vite më parë në një stage që është zhvilluar në Gorizia dhe kaq. Në këto dy sezonet e fundit kur po kalon edhe momentet më të mira të karrierës së tij, nuk i është dhënë mundësia të tregojë vlerat sepse grumbullimet kanë qenë për futbollistë të datëlindjes 2006 dhe jo për ata të 2005 ku bën pjesë edhe Antonio.
E rëndësishme është që Antonio po e shijon shumë futbollin dhe po i hedh hapat një e nga një. Për të fillimisht e rëndësishme është të firmosë një kontratë profesioniste dhe të debutojë në Seria C me ekipin Pontedera dhe më pas do të vijnë edhe hapat e tjerë ku ëndërrat e tij janë të mëdha.
Sigurisht duke patur edhe mbështetjen e madhe të familjes së tij, Antonio Leka ka shumë besim që do t’i bëjë krenarë me paraqitjet në fushat e blerta të futbollit./SHKODRA-SPORT.COM/