Dy ditë përpara ndeshjes së rradhës, asaj me Korabin, në kampin shkodran ka një dilemë sa i takon formacionit. Mbrojtësi Antonio Marku ka pësuar një dëmtim në gju në ndeshjen e kaluar me Flamurtarin dhe për këtë arsye, ende nuk dihet nëse do të jetë në gjendje të luajë apo jo. Stafi mjekësor ka punuar shumë gjatë këtyre ditëve për ta rikuperuar dhe gjendja e tij po shkon drejt përmirësimit megjithatë ndoshta pas stërvitjes së sotme do të shihet më konkretisht forma e tij dhe trajnerët pastaj do të marrin edhe vendimin për ta aktivizuar apo jo. Trajneri Cungu ka menduar edhe zgjidhjen në rast mungese të Antonio Markut.

Kështu, në vend të tij do të luajë Erdenis Gurishta i cili ndaj vlonjatëve bëri një paraqitje shumë të mirë. Spostimi i tij në krahun e majtë të mbrojtjes vjen ngaqë në të djathtin rikthehet pas mungesës javën e kaluar të Gocajt. Ky i fundit e ka kaluar dëmtimin që ka patur dhe tashmë është i gatshëm për të luajtur. Këto janë lëvizjet e mundshme në formacionin e kuqebluve ndërkohë që ende nuk është e qartë nëse do kemi lëvizje të tjera apo jo. Edhe sulmuesi Pepa e ka kaluar dëmtimin por tashmë duhet parë nëse Cungu do të vazhdojë t’i besojë 18 vjeçarit Hebaj apo do të rikthejë në formacionin sulmuesin lushnjar. E rëndësishme megjithatë është që edhe këtë herë të synohet fitorja e cila do t’i jepte edhe më shumë qetësi skuadrës në renditje dhe në ecurinë e mëtejshme në kampionat. Takimi Korabi- Vllaznia do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit. Fakti që ndeshja luhet në fushë asnjanëse dhe për më tepër, pa tifozë, natyrisht që është një favor për ekipin shkodran megjithatë ky duhet shfrytëzuar për të marrë rezultatin e shumëpritur, fitoren edhe në këtë takim.

© shkodrasport.com