Pas Ambroz Kapaklijës, një tjetër futbollist i Vllaznisë ka mbyllur sezonin para kohe. Bëhet fjalë për mbrojtësin Antonio Marku. Edhe ai do të jetë i detyruar t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale për të tentuar rikthimin sa më shpejt në normalitet dhe më pas edhe në stërvitje me ekipin. Sezoni aktual ka qenë ndër më të vështirët për mbrojtësin e majtë të kuqebluve. Ai ka kaluar shumë probleme me dëmtimet ndërkohë që prej disa javësh edhe nuk është stërvitur me ekipin.
Pas shumë ekzaminimesh të kryera, është dalë në konkluzionin se nuk kishte rrugë tjetër përveç ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e tij të majtë. Kjo ngaqë është konstatuar një çarje e meniskut dhe për këtë arsye, e vetmja zgjidhje ka qenë operacioni. Nga sa mësohet, kjo ndërhyrje do të bëhet ditën e dielë në një nga spitalet private të kryeqytetit. Kuptohet që koha e rikuperimit konsiderohet e shpejtë megjithatë ky sezon tashmë ka përfunduar për Markun dhe ideja është që ai t’i rikthehet sërish stërvitjes në momentin kur Vllaznia të nisë përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Në këtë mënyrë, bashkë me Antonio Markun shkon në dy numri i futbollistëve të ekipit shkodran që janë detyruar t’i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale këtë sezon. I pari ka qenë mesfushori Ambroz Kapaklija që pati një këputje të ligamentit të gjurit dhe ai u operua në San Marino nga mjeku i njohur Diego Ghinelli dhe tashmë ky futbollist ka nisur fazën e rikuperimit. Mungesa e këtyre dy sportistëve shpeshherë e ka vënë në vështirë edhe trajnerin Cungu për lojtarë sepse në pozicionet ku ato luajnë, ka patur nevojë për alternativa por i ka patur të pamundura dhe për këtë arsye, është detyruar të sajojë vendosje ndryshe të lojtarëve në fushë.
© shkodrasport.com