Ashtu siç pritej dhe ka ndodhur. Mbrojtësi 21 vjeçar shkodran Antonio Marku I ka dhënë lamtumirën Vllaznisë teksa ka zgjedhur ekipin e Tiranës për të vazhduar karrierën e tij. Ndonëse pritej që ky kalim të bëhej që të hënën, ai është shtyrë për 24 orë për shkak të tërheqjes së dokumentacionit nga klubi shkodran. Pikërisht për këtë, Marku mëngjesin e djeshëm ka qenë në zyrat e klubit Vllaznia teksa ka biseduar me administratorin Gjyrezi dhe drejtorin sportiv Grima dhe ka tërhequr leje- kalimin duke shkëputur përfundimisht marëdhëniet me këtë klub. Më pas është nisur drejt kryeqytetit, atje ku kishte mbyllur prej ditësh punë me ekipin e Tiranës megjithatë ka hedhur firmë në kontratën e ofruar nga administratori bardheblu Alimehmeti.

Mbrojtësi I majtë por edhe I qendrës do luajë për dy sezonet e ardhshme me këtë skuadër dhe palët janë dukur të kënaqura nga marëveshja e arritur. Futbollisti shkodran më pas ka tërhequr bazën materiale në klubin bardheblu, është sistemuar në shtëpinë ku do qëndrojë gjatë kësaj periudhe dhe pasdite ka qenë në “Skënder Halili” për të zhvilluar seancën e parë stërvitore me skuadrën e tij të re nën drejtimin e trajnerit Dede. Por më shumë sesa këto detaje, ajo që të bën përshtypje është mënyra si është lënë I lirë ky futbollist me shumë të ardhme nga Vllaznia. Ai erdhi në janar në Shkodër dhe firmosi një kontratë për një 1 vit e gjysëm me këtë skuadër. Por vetëm pas 6 muajsh lihet I lirë kur ai bëri një paraqitje të mirë në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Një lëvizje e çuditshme e klubit I cili nga njëra anë pretendon kthimin e të gjithëve shkodranëve dhe ndërtimin e një ekipi cilësor por nga ana tjetër, lejon vetë futbollistët të largohen. Vërtetë Antonio Marku është shkëputur edhe për arsye shkolle për të kaluar tek Tirana meqë është me studime në kryeqytet por përderisa ka patur një kontratë të firmosur në Shkodër, kjo lëvizje nuk duhej lejuar.