Sfida me bardheblutë tashmë po afron dhe në kampin shkodran po i japin dorën e fundit përgatitjeve. Për mbrojtësin e Vllaznisë Antonio Marku është një takim shumë interesant sepse kemi të bëjmë me klasiken e futbollit shqiptar megjithatë sipas tij, skuadra kuqeblu i ka mundësitë për të marrë një rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë në mënyrë që të hedhë hapin e kualifikimit për në turin e tretë të Kupës. “Kemi të bëjmë me një përballje shumë interesante që mbase nuk duhej të vinte që në këtë fazë të kupës megjithatë ky është shorti. Janë dy skuadra tradicionale të futbollit shqiptar që do luajnë ndaj njëra- tjetrën dhe padyshim që do të kërkojë secila kualifikimin.
Në fakt, takimi i së mërkurës nuk na gjen në momentin tonë më të mirë fizik sepse kemi patur ndeshje të shumta këtë periudhë, të dielë, të mërkurë, sërish të dielë dhe përsëri të mërkurën megjithatë besoj se tek Vllaznia ka kontigjent të mjaftueshëm lojtarësh për ta përballuar me sukses edhe këtë takim. I kemi mundësitë për t’u paraqitur sa më mirë edhe të mërkurën në Tiranë dhe mundësisht për të marrë një rezultat sa më pozitiv që të na e lehtësonte kualifikimin për në ndeshjen e kthimit”- shprehet numri tre i Vllaznisë. Sipas tij, tashmë skuadra pas dy fitoreve të fundit, duket më e qetë edhe në anën psikologjike dhe për këtë arsye, ajo do ta reflektojë këtë qetësi edhe në fushën e lojës në takimet e ardhshme.
www.shkodrasport.com