Teuta do të përpiqet të rikthehet te fitorja dhe do të mundohet ta bëjë pa stres në ndeshjen e radhës kundër Skënderbeut. Këtë ka thënë edhe mbrojtësi Antonio Marku. Mbrojtësi shkodran mendon se ka ardhur momenti që Teuta të tregojë veten. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Marku thekson se si çdo ekip edhe korçarët kanë pikat e tyre të dobëta, të cilat durrsakët do përpiqen t’i shfrytëzojnë.
Marku, sa po iu shërbejnë këto ditë për t’u përmirësuar?
Kjo javë e plotë ka të mirën e vet me rikuperimin. Gjatë këtyre ditëve po punojmë më shumë në drejtimin tekniko-taktik, pasi duhet të fokusohemi shumë për ndeshjen e radhës dhe të vijojmë rrugën e rezultateve pozitive.
Mendoni se ka ardhur momenti që Teuta të tregojë veten me Skënderbeun?
Synimet e Teutës janë gjithmonë të dalim në fushë dhe të fitojmë, do të bëjmë më të mirën, na duhet fitore në ndeshjen e radhës.
Sa e vështirë do të jetë përballja me Skënderbeun?
Është një skuadër që me lojë ka justifikuar pikët, pasi ka instaluar një manovër që përfshihen gjithë lojtarët. Kanë lojë të mirë në tranzicione, por si çdo ekip, edhe Skënderbeu ka pikat jo të forta. Ne nuk do e marrim ndeshjen me stres dhe do hyjmë me qetësi në fushë.
A mendoni se presioni mund t’ua komplikojë ndeshjen?
Të gjitha ekipet kanë presion, por ne pak, jo shumë. Kemi kontigjentin për rikuperim të pikëve, sepse kemi dominuar, por na kanë kushtuar gabimet dhe duhet të jemi më të qetë para portës. Në raport me skuadrat e tjera kemi pasur më shumë raste para porte.
A e keni gjetur ritmin e duhur te Teuta?
Unë e kam zakon të them: si punon, ashtu të kthehet”. Asgjë nuk vjen thjesht, gjithçka duhet merituar.
Si e shikoni kampionatin deri në këtë moment?
Skuadrat janë të barabarta. Nuk ka një diferencë në pikë, por dhe nga cilësia janë të gjitha afër. Janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Sezoni është i gjatë dhe ekipi që do të jetë më konstant do të jetë më afër objektivave.