Antonio Marku spikati ditën e hënë me Teutën kundër Tiranës. Mbrojtësi shkodran bëri një ndeshje mjaft të mirë, duke e neutralizuar sulmuesin kryesor të Tiranës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Marku shprehet se vetëm pikët e plota bëjnë punë në këtë moment.
Antonio, vetëm një pikë kundër Tiranës, si e komentoni?
Ishte dhe e vështirë dhe e rëndësishme, sepse këtu është fushë e vështirë dhe të dyja ekipet në krizë pikësh. Gjithmonë kur nuk humbet, mund të thuash një rezultat të mirë sidomos jashtë fushe. Por në momentin ku jemi ne, vetëm fitoret na nxjerrin nga kjo krizë pikësh që jemi.
Përpos rezultati u shpallët dhe lojtari i ndeshjes. Sa i kënaqur jeni?
Jam i kënaqur, por e mira nuk ka fund. Kam ardhur të ndihmoj ekipin, kur ka nevojë për mua. Mendoj kur ka pasur nevojë nuk e kam lënë në baltë. “Çdo lojtar i nevojshëm, askush i domosdoshëm”, është një shprehje në futboll.
Është vendimtare përballja kundër Egnatias?
Është një ndeshje specifike, por jo vendimtare për ecurinë në kampionat. Është një kundërshtar direkt dhe një fitore do të na japë më shumë moral për vazhdimësinë. Pres një ndeshje të vështirë, sepse Egnatia ka një ekip të mirë, me elementë cilësor. Gjithsesi, ne do japim 100% tonë për të marrë maksimumin.
Jeni të kënaqur edhe me një pikë, apo do të synoni me çdo kusht fitoren?
Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë ndaj Egnatias.
Keni një kalendar relativisht të mirë pas Egnatias, e mbyllin vitin me Bylisin, në Durrës. Me sa pikë do të ishit të kënaqur të dilnit?
Nuk mendoj asnjëherë me plane afatgjata. Do të doja që t’i fitonim të gjitha ndeshjet dhe kjo është më se normale. Megjithëse do të duhet t’i bëjmë planet ndeshje pas ndeshjeje. Duhet të marrim më të mirën në ndeshjen e ndaj Egnatias. Normalisht, nëse do të fitonim kundër tyre, do të na rritej akoma më shumë kërkesa në ekip.