Rënia e Vllaznisë nga Superliga e ka dëshpëruar së tepërmi gazetarin e vjetër sportiv Namik Mehmeti. Prej vitesh ai jeton në Itali megjithatë është i lidhur shumë me Shkodrën.

76 vjeçari ka qenë ditët e fundit në qytetin e tij të lindjes dhe në një prononcim për televizionin Rozafa, ka shprehur keqardhjen për situatën e fundit të krijuar tek skuadra e Vllaznisë.

“Vërtetë jetoj në Itali por kam qenë gjithnjë me mendje dhe zemër në Shkodër. Padyshim që rënien e Vllaznisë nga Superliga e kam përjetuar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Besoj se në media janë pasqyruar tashmë edhe shkaqet që çuan në këtë disfatë. Ndoshta, skuadra prej vitesh kishte
marrë këtë rrugë dhe fundi në mos sot nesër do të vinte. U vërtetua fakti se skuadra nën administrimin e Bashkisë nuk ka sukses.

Duhet një president që t’i qëndrojë mbi krye punëve. Mbase nuk është faji as i Bashkisë por ky është realiteti i futbollit shqiptar që duhet medoemos një president në krye të klubit.

Unë e kam përjetuar edhe rënien e Vllaznisë nga kategoria në vitin 1961 kur ai 11-metërsh i humbur nga Qamil Medja në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit, e çoi skuadrën një kategori më poshtë. Atëherë kam qenë maturant dhe padyshim që kam patur keqardhje por të them të drejtën rënia e sivjetme më ka djegur më shumë”.

Në prononcimin e tij Mehmeti ka edhe një apel për futbollistët aktualë të Vllaznisë. “Ngjitja e skuadrës sërish në Superligë është një detyrim për këta futbollistë. Unë dëgjoj çdo ditë tentativa të lojtarëve shkodranë për t’u larguar nëpër ekipe të tjera por besoj se ata duhet të tregohen paksa lokalistë.

Të qëndrojnë në Shkodër edhe këtë sezon dhe ta ngjisin skuadrën në Superligë. Ata që e hodhën një kategori më poshtë, ata duhet ta korigjojnë këtë gabim.

Marr këtu edhe shembullin e Juventusit në Itali pak vite më parë kur ndonëse skuadra ra në Serinë B shumë lojtarë të njohur, ndër të cilët edhe Del Piero qëndruan aty dhe e ngjitën sërish në Serinë A. Kështu duhet të veprojnë edhe tek Vllaznia se ndryshe nuk do kishte kuptim”.
www.shkodrasport.com