Karl-Hainz Rumenige u ka bërë apel futbollistëve të Bajern Mynih që të kenë kujdes, pasi barazimi 0-0 në “Afield” nuk do të thotë asgjë përballë një ekipi si Liverpuli. Shefi ekzekutiv i bavarezëve e di mirë çfarë do të thotë të mundesh nga anglezët dhe të eliminohesh nga ata pas një rezultati të tillë.
“Është e rëndësishme që në Mynih të mos bëjmë gabimet që bëri skuadra ime në vitin 1981. Ne barazuam 0-0 këtu dhe fatkeqësisht menduam pas ndeshjes që më e keqja kishte kaluar. Por pastaj barazuam 1-1 në Mynih”, shpjegoi Rumenige.
Ish-futbollisti gjerman ishte protagonist në atë ndeshje të dytë, kur gjeti rrjetën në minutën e 88, por më parë Kenedi kishte kaluar në avantazh Liverpulin në minutën e 81-të me një gol që do të kishte shumë peshë për kualifikimin e mëtejshëm.
“Ne duhet të luajmë një ndeshje të dytë shumë të mirë dhe nuk duhet të mendojmë se kalojmë me një gol, pasi do të jetë shumë e rrezikshme. Do të na duhet të kalojmë një ditë të madhe. Në dhomat e zhveshjeve nuk kishte atmosferë feste dhe kjo më pëlqeu. Skuadra e di që na pret një duel i vështirë në Mynih”, tha Rumenige. /vipsport/