Nga Maringlen ZHIVANI
Ekipi i Vllaznisë U-18 në volejboll për femra e ka nisur kampionatin në mënyrën e duhur, duke marrë disa fitore rradhazi dhe duke u renditur në krye të renditjes. Megjithatë, trajneri i këtij ekipi, Ferdinand Bardeli, i ftuar në “Star Sport” në TV Star Plus, shprehet se edhe pse janë në vend të parë, kushtet për të zhvilluar stërvitje lënë për të dëshiruar. Bardeli bën me dije se Bashkia Shkodër është në dijeni të kushteve ku stërviten, teksa sipas tyre shumë shpejt do të bëhet një rikonstruksion të gjitha palestrave sportive. Megjithatë, Bardeli shprehet se pavarësisht kushteve të vështira, Vllaznia është mësuar tashmë të nxjerrë talente vit pas viti.
“Jam shumë i kënaqur me nisjen që i kemi bërë kampionatit me ekipin U-18. Aty jemi tre trajnerë, unë, Dorjan Tafa dhe Fatjet Haxhagiq, që punojmë të gjithë së bashku. Kemi rifilluar edhe njëherë nga fillimi për nxjerrjen e talenteve të reja, duke i bashkuar edhe njëherë ekipet U-14, U-16 dhe U-18. Aktualisht, me U-18 jemi në vend të parë, së bashku me Dinamon, me të cilën jemi barazim me pikë. Jemi një staf që po bëjmë gjithçka për rritjen e volejbollisteve në maksimum në nivele kombëtare. Ata volejbolliste janë e ardhmja e ekipit Vllaznia. Ne po punojmë për të ardhmen, për atë që ne duam që ekipi i Vllaznisë të përfaqësohet me vajza shkodrane.
Kushtet stërvitore? Kushtet nuk janë fort të mira. Jemi në kushte të pabarabarta me ekipet tona rivale, por jemi munduar t’ia plotësojmë dëshirat volejbollisteve për të bërë sport. Deri tani, kemi mbi 50-vajza. Megjithatë, palestra ku bëjmë stërvitje lënë për të dëshiruar. Ne kemi kontaktuar edhe me drejtuesit e Bashkisë dhe na kanë thënë që do të bëjnë një rikonstruksion të palestrave të shkollave të Shkodrës.
Megjithatë, kushtet nuk i kemi të mira, pasi përmasat nuk i kemi optimale për të bërë një stërvitje të duhur volejbolli. Edhe për ne është shumë e vështirë të punojmë kur kushtet mungojnë. Ne na mungon edhe baza materiale, por falë sponsorave po ia dalim. Ne luajtëm me Besëlidhjen dhe kishte 20-milionë lekë buxhetin në volejboll. Domethënë, 20-milionë nuk e ka ekipi i të rriturave në volejboll.
Ndeshja e rradhës është deçizive për ne, pasi luajmë për vendin e parë. Kemi ndeshje direkte me Dinamon dhe luhet në Shkodër”,-tha në “Star Sport” trajneri i Vllaznia U-18 në volejboll për femra, Ferdinand Bardeli.