Edhe gara e rradhës, Kupa e Republikës për kadetë dhe juniorë është shoqëruar me dominimin e çiklistëve të Vllaznisë por kjo nuk ka mjaftuar që në kampin shkodran të ketë vend për të festuar.
Kjo ngaqë trajneri i këtij ekipi Leonat Kola është duke menduar seriozisht për largimin nga kjo detyrë pas problemeve që ka patur me gjyqtarinë dhe drejtuesit e Federatës pas etapës së parë të kësaj gare kur ato i kanë hequr me pa të drejtë vendin e parë çiklistit të Vllaznisë Servet Kastrati.
Duke folur për “Shkodra Sport” pas garës së djeshme, trajneri Kola do të shprehej: “Kupa e Republikës u mbyll me sukses pas një incidenti që patëm dje me gjyqtarinë dhe për rrjedhojë ne braktisëm podiumin. Ndodhi kështu sepse ata na hoqën me pa të drejtë vendin e parë që zuri sportisti ynë Servet Kastrati.
Vendosëm ta bojkotojmë krejt garën por duke menduar gjithë atë mund e djersë që kanë derdhur sportistët gjatë gjithë kësaj periudhë, si në temperaturat e larta, ashtu edhe në të ftohtë e shi, e pamë të arsyeshme të rikthehemi në garë dhe t’u tregojmë të gjithëve se kush është Vllaznia.
Dhe në fakt e treguam se kush është fituesi i vendit të parë. Ky është një sukses i merituar dhe dua të falenderoj djemtë për punën e jashtëzakonshme, sakrificat që kanë bërë për gjithë këtë periudhë shumë të vështirë për sportin shqiptar”.
I pyetur për vazhdimësinë, trajneri Kola do të shprehej: “Nuk di çfarrë të them për të ardhmen sepse unë do ta shoh edhe njëherë pozicionin tim sepse në këto kushte e kam shumë të vështirë ta vazhdoj çiklizmin. është bërë një ekip i mirë, është bërë një ekip me të ardhme sepse këto djem kanë moshën për të garuar me paratërinjtë, por mundin edhe të rinjtë e Shqipërisë.
Kemi krijuar një bërthamë shumë të mirë, por me këto kushte unë e kam shumë të vështirë të vazhdoj sportin në këto nivele të larta sepse për ta mbajtur kot si ekip hapur, e mbajmë në të gjitha mënyrat, por vllaznia është Vllazni dhe duhet të jetë në nivele të larta”./SHKODRA-SPORT.COM/