Sipas Tuttosport, Daniele Orsato është në qendër të vëmendjes në kampionatin saudit, i cili pasi rrëmbeu lojtarët dhe trajnerët më të mirë, ka ndër mend të marrë edhe arbitrat.

Arabët e duan shumë arbitrin venecian, i cili aktualisht mund të mburret me kurrikulën më prestigjioze mes zyrtarëve të ndeshjeve në kampionatin më të lartë italian dhe është, pa dyshim, ndër më të vlerësuarit në nivel evropian.

Orsato është i njohur në Arabinë Saudite, duke qenë se fillimisht në janar të këtij viti ai drejtoi një ndeshje të vlefshme për Ligën Pro Saudite mes Al-Ittihad dhe Al-Hilal.

Më pas ai arbitroi katër të tjera, e fundit prej të cilave më 21 shtatorin e kaluar, sërish me Al-Ittihad të Karim Benzema kundër Al-Fateh. Këtë sezon Orsato drejtoi edhe ndeshjen e turneut më të lartë në Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjet Al-Ain dhe Al-Wahda.

Arabët, për ta sjellë në Ligën Saudite, do të ishin të gatshëm t’i paguanin dyfishin e asaj që merr në Itali. Për më tepër, ai ka mundësinë të zgjedhë, të vazhdojë të arbitrojë ose të bëhet menaxher duke filluar nga viti 2024. Në të dyja rastet me një pagë më se të lakmueshme. Nëse do të shkojë në Arabi, Orsato do të përfitojë dyfishin e pagës së merr në Itali.