Një mision i ri nis për Renato Arapin, ai për të ndryshuar kursin e Teutës. Besim, por edhe përgjegjësi e deleguar nga drejtuesit, për një eksperiencë që nis që nga sfida e kësaj të premteje me Vllazninë, një ekip që ka gjetur rezultatet pozitive dhe konsiderohet një ndër pretendentët e titullit.

Me pak ditë në dispozicion, Arapi pak mund të ndryshojë në aspektin taktik, i duhet të shpresojë që skuadra të japë shkundjen tradicionale që ndodh rëndom me ndryshimin e trajnerit, ndërsa për vazhdimësinë, trajneri i ri e ka piketuar që tani një ndër aspektet ku Teuta e tij duhet të ndryshojë, dicka që e bëri të qartë që në konferencën e prezantimit: Golat e pësuar.

Teuta në këtë fillim kampionati ka një mbrojtje që lëkundet, ndryshe nga viti i titullit kampion, kur mbrojtja vlerësohej si një ndër pikat më të forta të skuadrës. Teuta deri më tani në 10 javë kampionat ka pësuar 13 gola, një mbrojtje dukshëm më e dobët se ajo e Tiranës, Kukësit apo Partizanit, ndërkohë që në kampionatin e kaluar, bregdetarët në plot 36 javë pësuan vetëm 16 gola, vetëm 3 më pak nga sa kanë pësuar këtë edicion kur është luajtur vetëm një e katërta e kampionatit.

Një diferencë e ndjeshme, e kushtëzuar ndoshta edhe nga ndryshimet në mbrojtje, dicka që nuk mund ta dijë askush më mirë se Arapi, pasi një vit më parë ishte pikërisht ai dhe Rustem Hoxha që formonin një digë të vërtetë në qendër të repartit.

Ndoshta edhe për faktin se ka qenë një ndër mbrojtësat më të spikatur të këtyre viteve të fundit, Arapi është njeriu i duhur për të blinduar mbrojtjen dursake, këtë herë nga stoli i trajnerit!