Në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të klubit “Vllaznia”, për shumë figura të klubit shkodran dhe të sportit shqiptar në tërësi u dhanë vlerësime e medalje, bazuar në kontributin e tyre ndër vite për këtë klub emblemë të sportit kombëtar.
Në radhët e atyre që morën vlerësim për kontributin e tyre në sport ishte dhe një prej ikonave të atletikës shqiptare, Arbana Bekteshi (Xhani), tashmë me titullin “Mjeshtre e Madhe”, e cila, në një intervistë për gazetën “SOT”, analizon gjendjen e atletikës shkodrane, humbjen e lavdisë së dikurshme, vështirësitë në organizim, si dhe mungesën e strategjive zhvillimore dhe impulset e nevojshme që kërkohen në sport.
Zonja Arbana, ju keni marrë titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” pikërisht në këtë vit kur është dhe përkujtimi i “100 vjetorit të Vllaznisë”. A mund ta na tregoni si e përjetuat dhe si u organizua pikërisht ky event i madh për klubin sportiv më të vjetër në Shqipëri!?
-Unë personalisht kisha disa vite që kisha përgatitur dhe çuar dosjen time pranë Presidencës në Tiranë, mbi bazën e arritjeve të shumta të mia dhe duke respektuar rrugën ligjore të mirë përcaktuar për të marrë këtë titull të lartë! Nuk u bë e mundur dhënia e këtij titulli me presidencën Nishani!
Nuk kam arritur të kuptoj pse, por besoj se ish-Presidenti ishte më i preokupuar të nderonte me një titull të tillë njerëzit pranë bindjes së tij politike se sa individë dhe personalitete që kontributin e tyre nuk e kanë me bindjen politike dhe mbi bazën e preferencës partiake sipas kohërave. U bë i mundur ky titull i madh për mua mbas “Mjeshtres së Sportit” në 1988, mbas “Mjeshtres së Merituar” ( Medalje e Artë) në 2003 dhe medaljeve “Naim Frashëri” të akorduara prej kohësh.
Padyshim që janë dhjetëra trofe brenda dhe jashtë vendit si dhe dhjetëra kampione vendi, rekorde, të cilat plotësojnë shumë mirë dhe kushtin për “Mjeshtër i Madh”! Festimet për 100-vjetorin e Vllaznisë ishin një motiv që dhe Presidenti i sotëm, të bënte një veprim të qartë për të më nderuar në këtë rast!
U nderuan shumë sportistë të Vllaznisë, por mbetën pa nderuar shumë emra të lartë të sportit shkodran! Vllaznia është klubi sportiv absolutisht më me figura të mëdha ndër kohëra dhe në të gjitha sportet. Ka vështirësi për t’i nderuar të gjithë dhe me radhë sikundër duhet, por unë pa asnjë ndrojtje mund të them se as ky 100- vjetor nuk shpëtoi pa u futur politika dhe në titujt e lartë “Mjeshtër i Madh”!
U vu re një mos përgatitje (Bashkia) në dijenitë e nxjerrjes në pah të vlerave si dokumente dhe dokumentarë të përgatitur shumë keq dhe aspektit fotografik, akoma dhe më keq! Mu duk sikur ishte përgatitur gjithçka jo seriozisht dhe aspak profesionalisht për nga identifikimi dhe paraqitja e vlerave të Vllaznisë në këto dhjetë dekada!
Akoma më keq ishte dorëzimi i titullit të lartë “Nderi Kombit”, për Vllaznisë dhe në ceremoni ishin punonjësit e bashkisë që nuk kanë kurrfarë lidhje me Vllazninë! Megjithatë Presidenca, bëri punën e saj dhe titujt e lartë u dorëzuan nga ana e saj në mënyrë korrekte!
Përkujtimi pastaj i disiplinave veç e veç, ishte një tjetër jo përgatitje serioze e bashkisë e cila as datat, as motivacionet e sportistëve të rëndësishëm nuk i di, por dhe i bën me gabime, por tashmë çdo gjë ka kaluar dhe të shpresojmë që në 110 vjetorin e Vllaznisë të organizohet më mirë dhe më me pak, politikë brenda!
-Zonja Arbana, si është gjëndja e atletikës shkodrane sot?
Sot realisht kemi të realizuar një ëndërr të madhe jo vetëm timen, por dhe shumë kolegëve të mi të atletikës shkodrane me super talente 1970-2000! Po, kemi të realizuar pistën e tartanit! Por në atë kohë që nuk kishim pistë, kishim shumë e shumë talente dhe djersë të madhe në pistë, por dhe ekip të madh të fuqishëm dhe të ripërtërishëm në saj të masivitetit! Sot nuk ka masivitet dhe sigurisht ka talente, por nuk ka “ekip të madh” dhe as mentalitet të atëhershëm për garën dhe stërvitjen!
Është një fat i madh që sot kanë dalë dhe janë fantastikë Izmir Smajli dhe Franko Burraj e unë jam shumë e entuziazmuar, por padyshim që nuk është atletika e dikurshme! Atletika e shumë disiplinave dhe rekordeve apo dhe vendeve të para, pa numërim, por dhe ekipeve zinxhir që mbushnin atë pistën e dheut deri vonë natën dikur! Atë pistë pa kushte, por me vullnetin si të sportistëve dhe trajnerëve të mëdhenj të Vllaznisë dikur!
Sot atletikës shkodrane nuk i mungon as talenti te fëmijët dhe përkushtimi te trajnerët, por i mungojnë institucionet, strategjitë, impulset që duhet të interesohen dhe të preokupohen për kthimin e lavdisë së dikurshme dhe madhësisë së dikurshme në atletikë e besoj dhe sportet e tjera!
Vetë Klubi Shumësportësh Vllaznia, është tashmë një diçka e vogël si në pagesa dhe mundësi! Por dhe në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme, interesi për sportin dhe veçanërisht për atletikën ka rënë shumë! Edukimi Fizik si lënda primare e “trupit dhe mendjes” nuk është më kolona dhe linja ku dalin dhe talentet, rekrutohen ato dhe edukohen pastaj me sportin!
– Profesoresh Arbana, me që ra fjala te shkolla dhe mësimi. Ju si profesoresha e njohur e edukimit fizik ose tashmë më e vjetra si kohë pune në Departamentin të Edukimit Fizik në universitetin e Shkodrës, çfarë mund të na thoni për përgatitjen e mësuesve dhe trainerëve?
Po unë kam që në vitin 1995-së si pedagoge dhe kam pasur fatin të jem kolege me prof .Vildan Tufi, Satber Tula dhe Vjollca Medja. Por sot katedra ka pothuaj të gjithë ish- sportistë dhe kolegë të sportit me mua si Nora Deda, Beniamin Naku, Artan Kalaja, Xhulio Zefi, Fatjon Nurja dhe pastaj Gentjana Niçaj e Ermal Milla!
Janë kolegë thellësisht dhe qartësisht të përkushtuar. Kanë qenë sportistë të talentuar dhe trajnerë të shkëlqyer dhe padyshim kjo i bën që të jenë dhe pedagogë të mirë dhe absolutisht me cilësi në mësim dhënie dhe praktika. Katedra e Edukimit Fizik është për mua, një nga vendet ku realisht dhe me bindje realizohet një përgatitje e mirë si për mësuesit e edukimit fizik dhe për trajnerë të ndryshëm apo stërvitës në shumë disiplina!
Për mua ka disa mungesa në studentët që vijnë në universitet! Nuk mohoj kurrë rolin e shumë mësuesve të edukimit fizik në 9-të vjeçare dhe shkollë të mesme, por rëndësia e lëndës së edukimit fizik nuk është më ajo e dikurshmja dhe akoma më shumë ajo e lavdishmja që organizonte aktivitete të shumta shkollore për tu dalluar dhe individët me talente! Kjo është një humbje e madhe!
Sigurisht që ne edukojmë dhe nxjerrim elementë të mirë për nesër, por duhet thënë se vijnë me dëshirë të madhe sigurisht, por me përgatitje të vogël nxënësit nga shkollat e mesme! Vërejmë që sporti ka vetëm një drejtim futbollin ose kalçeton dhe deri diku për vajza volejbolli, por në përgjithësi nga shkollat e mesme vijnë me njohuri të pakta për sportin dhe organizimin e tij, klubin sportiv, protagonizmin në sport dhe dëshirën për një sport elitar! Mungesë ka dhe në përgatitjen fizike personale në raport me sportin gjithmonë them.
Po shkohet deri atje sa sporti të kuptohet si diçka që “ul tulet” dhe jo se është një mrekulli si artet dhe lëndët e tjera të rëndësishme! Gjithsesi Dega e Edukimit Fizik (Departamenti) është një nga ato më të kërkuarat dhe padyshim një vend ku studentët kur mbarojnë kanë mundësi më të mëdha punësimi! Me hapjen e degës së edukimit fizik dhe sporte që nga viti 2006, kanë dalë nga ky fakultet qindra mësues që japin mësim dhe janë trajnerë në ekipe dhe disiplina sportive të ndryshme, të cilët kontribuojnë për sportet si dhe instruktorë nëpër palestrat e fittnessit.
Zonja Arbana ju falënderoj!
– Ju falënderoj edhe unë ju në mënyrë të veçantë.