Dëmtimet sistematike të lojtarëve kanë qenë kryefjala e Vllaznisë këtë sezon. Shkodranët kanë vuajtur ndalesën e më shumë se 13 futbollistëve gjatë kampionatit për shkak të shqetësimeve fizike, duke u shndërruar kështu në një problematikë jo të vogël në radhët e kuqebluve.mllojaKulmi arriti në ndeshjen e fundit me Partizanin, ku trajneri Brdariç kishte 10 mungesa dhe po ashtu humbi edhe Krymin që në pjesën e parë.
Për këtë temë ka folur për “Panorama Sport” Arben Mlloja, ish-kampion i atletikës me Vllazninë dhe po ashtu pjesë e stafit mjekësor të kuqebluve të futbollit para disa sezonesh. Mjeku-fizioterapist thekson mes të tjerash se ka mungesë stafi në radhët e shkodranëve, pasi duhej të ishin marrë masat që dëmtimet të mos agravonin deri në këtë shkallë.
“Me sa mbaj mend dhe që dihet, Vllaznia e ka zhvilluar fazën përgatitore para ekipeve të tjera të Superiores në verë. Pra, duke e marrë në mënyrë graduale ngarkesën që duhet për të përballuar sezonin. Por, ajo çfarë mungon te kuqeblutë është një specialist i përgatitjes fizike. Në një skuadër duhet një specialist jo vetëm atletik, që Vllaznia e ka, por edhe fizik. Në mënyrë që këta dy faktorë të ndërthuren sa më mirë të jetë e mundur.
Në të shkuarën kam pasur fatin të bëj fazën përgatitore të Vllaznisë e po ashtu të Tërbunit, në sezonin kur ishte në Superiore. Tërheqjet muskulore nuk ndodhin menjëherë pa të dhënë shenja të kontraktimit të muskulaturës. Në këtë rast duhet të futen në punë fizioterapistët, sepse lojtarët kanë më shumë nevojë për masazhe, kur jepen këto shenja.
Kur muskulatura është e kontraktuar, humb elasticitetin nga ngarkesa dhe shkakton tërheqje. Futbollistët? Më duket sikur nuk i kushtojnë rëndësi rikuperimit pas ndeshjeve. Shumë prej tyre e ngatërrojnë rikuperimin me pushimin pasiv”, ka shpjeguar mjeku shkodran në lidhje me çështjen e dëmtimeve të shumta të Vllaznisë.