Nga Maringlen ZHIVANI

Java e tetë e Superiores së moshave ka rikthyer ekipin e Vllaznia U-17 tek fitorja. Ndryshe nga javët e mëparshme ku rezultatet ishin disi negative, këtë fundjavë, Vllaznia U-17 mori një fitore të rëndësishme. Për kuqeblutë kjo ishte fitorja e tretë në tetë javë kampionat, teksa shkodranët mposhtën Teutën me rezultatin 3-0, ku autorë të golave ishin Kthupi, Shurbani dhe Kurtulaj. Trajneri i 17-vjeçarëve të Vllaznisë, Arbër Shytani, në një intervistë për “Shkodra Sport”, vlerësoi lojën e ekipit të tij. Trajneri Shytani tha se në ekipin e drejtuar prej tij ka elementë cilësorë të perspektivës që garantojnë për të kaluar në skuadrën e parë, por kjo duhet parë hap pas hapi.
.

“Të them të drejtën, jam pjesërisht i kënaqur nga ajo që kemi bërë deri tani me ecurinë tonë në kampionat. Edhe ndeshjen e fundit, nëse e shohim nga rezultati, është rezultat i kënaqshëm, por nuk ishte një ndeshje perfekte, nëse mund të them kështu. Sigurisht që, rezultati 3-0 të kufizon disi në kritika, por kjo nuk duhet të ndodhin kurrsesi te ekipet e moshave, sepse parësore duhet të jetë rritja nga ndeshja në ndeshje, jo rezultati.

Të gjithë kemi qejf për të fituar, por shpesh herë tek këto mosha ka luhatje nga ndeshja në ndeshje. Ajo që është e rëndësishme është që këto futbollistë të krijojnë besim në vete dhe ato cilësi që kanë t’i shfaqin në mënyrën më të mirë të mundshme në fushë.

Unë dhe zv/trajneri Valdano Nimani jemi të kënaqur me kushtet e punës te Akademia Vllaznia, sepse në futbollin shqiptar nuk ke kushte më të mira. Në qoftë se, flasim për ekipin, sigurisht që nuk jemi të kënaqur nga ajo që është prodhuar në këto tetë javë, por çdo grup i ri vonon të dalë tek ajo që kërkohet. Ajo që ne na gëzon është që javët e fundit, loja nuk ka munguar. Pra përgjithësisht, djemtë kanë zhvilluar ndeshje të mira, pastaj ka qenë apo nuk ka qenë rezultati, është çështje tjetër.

Vazhdimësia dhe javët e ardhshme? Java e ardhshme do të jetë në Korçë ndaj Skënderbeut, e cila është një skuadër e mirë. Ne do shkojmë atje për të bërë pjesën tonë, për të luajtur mirë futboll.

Titulli kampion? Kur flitet për titull kampion tek këto grup-mosha, më ngjan paksa çuditshëm, por deri në këto momente të jem realist, kjo skuadër nuk ka prodhuar atë futboll që mua të më ngrohë për të synuar një trofe apo titullin kampion. Sigurisht që, ajo që mund të them është se ky grup ka disa futbollistë, të cilët në qoftë se përkushtohen ashtu siç duhet, unë jam i bindur se me ato cilësi që kanë, një ditë do të veshin fanellën e ekipit të parë të Vllaznisë dhe ky është trofeu më i mirë që mund të ketë kjo skuadër”,-tha trajneri i Vllaznia U-17, Arbër Shytani për “Shkodra Sport”.