Arbis Vjerdha është zgjedhur presidenti I Federatës më të re sportive të krijuar në vend, asaj të Kik- Tai Boksit. Zgjedhjet e kësaj Federate janë zhvilluar paraditen e së premtes në sallën e Këshillit Bashkiak Shkodër. Kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e të gjithë klubeve dhe shoqatave sportive që e ushtrojnë këtë sport në vendin tonë. Përveç tyre kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të Federatave të vendeve fqinje dhe drejtuesi I Federatës Ballkanike të këtij sporti. Në fillim të Asamble, anëtarët e Asamblesë kanë miratuar statutin e kësaj Federate, statut ky që është firmosur edhe nga ministri sportit Aldo Bumçi. Pas kësaj, është kaluar në zgjedhjen e anëtareve të kryesisë dhe në fund edhe për zgjedhjen e presidentit të kësaj Asambleje. Me vota unanime, është zgjedhur për 4 vitet e ardhshme president I Federatës së Kik- Tai Boksit, shkodrani Arbis Vjerdha. Në prononcimin e tij menjëherë pas zgjedhjes, ai është shprehur: “Sigurisht që e prisja një zgjedhje të tillë me vota unanime sepse kam punuar për këtë ditë. Kam kontribuar shumë që ky sport të bëhet i njohur edhe zyrtarisht teksa tashmë kemi një Federatë tonën. Natyrisht që kjo zgjedhje e imja në postin e presidentit më motivon për të bërë gjëra edhe më të mira në të ardhmen”. Ky sport tashmë njihet nga të gjithë strukturat shtetërore dhe presidenti I ri mendon se ai do ketë të ardhme. “Njihemi nga Ministria e Sportit dhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Kjo do të thotë shumë për ne ndërkohë që tani do punojmë për të organizuar një aktivitet shembullor në Vlorë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë”-ka thënë Vjerdha.Në këtë mënyrë, vargut të madh të sporteve që ushtrohen në vendin tonë, nga dita e sotme, zyrtarisht I shtohet edhe një sport I ri, ai I kik-tai boksit.
Gjergj KOLA