Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e ka konsideruar skandaloz anulimin e golit të Ezesë. Kreu i klubit verilindor ka thënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” se me gjykime të tilla hidhet poshtë mundi i gjithë skuadrës dhe milionat e investuara.
“Në çdo botë futbolli ky gol ishte më se i rregullt dhe për fatin tonë të keq kësi lloj kamikazësh arbitra vazhdojnë akoma dhe arbitrojnë. Ishte skandal të anulosh një gol të tillë, sot i ndodhi Kukësit, e pësoi Kukësi, nesër do ta pësojë një ekip tjetër.
Ky lloj gjykimi ul performancën, hedh dëm miliona lekë shpenzime, devijon garën e u merr gjakun e djersën atyre sportistëve në fushë”, ka deklaruar numri 1 i klubit të Kukësit.
Më tej ai ka thënë se do të kërkojnë zyrtarisht që të tre arbitrat të përjashtohen këtë sezon dhe të mos gjykojnë deri në fund. Ai i ka bërë apel FSHF-së që t’i bëjë shembull dhe të marrin mesazhin të gjithë të tjerët.
“Ky është maskarallëk. Urgjent do kërkojmë përjashtimin e kësaj tresheje arbitrash e të bëhen shembull që mos të ndodhë më ky lloj arbitrimi. Standardi duhet të jetë absolut, jo për Kukësin, por për futbollin shqiptar. Ne nuk mund të pajtohemi kurrsesi që të na trajtojnë kështu në fushën e lojës”, deklaroi Gjici për gazetën.