Kukësi u mposht ditën e sotme nga Kastrioti, ndërkohë që trajneri i verilindorëve kishte shumë rezerva për arbitrat, por edhe për fushën ku u zhvillua ndeshja. Në prononcimin e dhënë për “Supersport”, Skënder Gega u shpreh:

“Po qesh nga halli dhe nuk jam i lumtur. Nuk më takon mua të flas për gjërat dytësore. Me arbitrat bisedova. Shpresoj që të jenë gabime njerëzore. Nuk ishte momenti për të humbur.

Shumica e lojtarëve nuk e dinim në çfarë stadiumi do luanim. Nuk mund t’i heqim meritat Kastriotit, pasi me ato që bënë ia dolën. Ne nuk duhet të dorëzoheshim, bëmë të pamundurën, kishim shumë raste dhe nuk ia dolëm.

Fusha në fillim ishte e mirë, por më pas u rëndua. U ndërpre loja aq shumë sa nuk e dinim kur do dilnim nga dhomat. Duhet ta harrojmë

Secili e gjykon ekipin e tij. Unë flas teknikisht, fusha nuk ishte në favorin tonë. Arbitrat duhet ta menaxhonin mirë, u vonua loja. Besoj do e kalojmë edhe këtë. I tillë është futbolli.

Unë po flas se çfarë i takon një trajneri. Unë nuk dua të justifikohem për humbjen, teknikisht kam rezerva për arbitrat, pasi kishte raste që të merrnin vendime të drejta.”, përfundoi Gega.