Arbitri Alessando Giallatini tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në fund të ndeshjes në Champions League, mes Leipzig dhe Aston Villa. Gjyqtari anësor italian shpërtheu në lot menjëherë pas vërshëllimës përfundimtare, duke bërë që afër tij të afrohen lojtarë dhe trajneri Marco Rose.
Ky i fundit, zbuloi edhe arsyen në deklaratën pas ndeshjes, duke thënë se për Giallatini-n, kjo ishte ndeshja e fundit në arbitrim.
“E pyeta se çfarë i kishte ndodhur. Ai më tha se kjo ishte ndeshja e fundit për të në arbitrim. Një histori e bukur dhe emocionuese. E përgëzova dhe i thashë se tani ka më shumë kohë në dispozicion dhe se duhet ta shfrytëzojë në mënyrën e duhur si dhe të kujdeset për familjen”, deklaroi Marco Rose.
Giallatini mban stemën e FIFA-s nga viti 2013, ndërsa ka qenë pjesë e ndeshjeve të mëdha, duke marrë pjesë në Euro 2020 dhe në Botërorin e vitit 2022.