Ka patur shumë diskutime ditët e fundit në lidhje me një shkarkim të mundshëm të trajnerit italian të Partizanit Lerda.Madje, ka patur edhe një prononcim të presidentit të kësaj skuadre Gazmend Demi i cili deklaronte se në rast humbje ndaj Tiranës, i pari që do të largohej ishte trajneri.

Në fakt, kjo nuk ndodhi sot sepse Partizani fitoi 2-1 ndaj bardhebluve dhe kësisoj nuk bëhet fjalë për shkarkim të teknikut të të kuqve.

Megjithatë, ish- arbitri i njohur shkodran Bardh Maçi, si një njohës shumë i mirë i kampionatit shqiptar, ka një mendim shumë interesant të cilin e përcjell me një status në profilin e tij në facebook.

“Si tha Gaz Demi, në qoftë se humbim me Tiranen, shkarkoj trainerin! Ka dashte me thane e shkarkoj mbas ndeshjes me Vllaznine ne Shkoder mbas dy javesh!’

Në fakt gjithë këto vitet e fundit kuqeblutë kanë qenë një pengesë serioze për të kuqtë dhe i kanë shkaktuar jo pak rezultate negative atyre. Për më tepër që në këtë sfidë, ka një arsye më shumë për ta mundur Partizanin. Pikërisht tolerimin që i bëri Kamzën dy sezone më parë, duke çuar rrjedhimisht edhe Vllazninë në kategorinë e parë.

Për të gjitha këto, nuk përjashtohet mundësia që vërtetë Lerda pas një humbje të mundshme në Shkodër, të mos shkojë deri në Rinas por të marrë Adriatikun në këmbë për të shkuar drejt Italisë.
© shkodrasport.com