Enea Jorgji ka mbyllur një vit të shkëlqyer profesional në aspektin personal. Arbitri ndërkombëtar i Shqipërisë, u vlerësua nga Federata Shqiptare e Futbollit me çmimin “Arbitri i Vitit”, në mbrëmjen “gala” të zhvilluar dy ditë më parë. Ky vlerësim shkon natyrshëm për elbasanasin, që ndër të tjera e mbyll këtë vit edhe me dy gjykime në nivele të larta në arenën ndërkombëtare në kompeticionin e Ligës së Kombeve.

Enea Jorgji është shprehur i lumtur dhe entuziast për vlerësimin e dhënë nga FSHF. Ne nje interviste dhene për Telesport, arbitri elbasanas, u shpreh se ky vlerësim vjen pas një pune të palodhshme të bërë gjatë këtij sezoni.

“Si çdo fundvit njerëzit presin dhurata dhe normalisht gëzojmë për këto dhurata. Ky çmim dhe ky vlerësim mund të konsiderohet posaçërisht kështu, një dhuratë për mua. Sigurisht që çmimi nënkupton punën e palodhshme të një viti të tërë. Kjo punë u konkretizua dhe me arritjet evropiane, kështu që mund të them se nuk do ishte një mbyllje më e mirë për 2018 më shumë se sa kjo”-tha Jorgji.

Sipas tij, fakti që UEFA i besoi dy ndeshje në Ligën e Kombeve, tregon përmbushjen e pritshmërive nga qeveria evropiane e futbollit. Ai thotë se tashmë duhet vazhdimësi në atë që është nisur.

“Dy gjykimet në Ligën e Kombeve, janë për të kuptuar që tanimë mund të bëjmë mirë dhe në arenën ndërkombëtare. Fakti që më erdhi ndeshja e parë dhe që u konfirmua ndeshja e dytë, do të thotë që prezenca dhe pritshmëritë për UEFA-n janë përmbushur nga ana jonë. Kështu që le të shpresojmë të kemi vazhdimësi në këtë që kemi nisur dhe të bëjmë më mirë”-shprehet arbitri që mban stemën e FIFA-s.

Nëse në arenën ndërkombëtare vlerësimi i është bërë duke i besuar ndeshje të rëndësishme, në Shqipëri kontestimet janë gjithmonë prezente për Jorgjin dhe kolegët e tij. Mirëpo gjyqtari ellbasanas thotë se ky sezon ka nisur mirë për “bilbilat”, të cilët kanë bërë pak gabime.

“Mendoj që me arbitrimin nuk ka kurrë pagabueshmëri, sepse është vetë i tillë ky profesion. Kam përshtypjen që këtë vit nuk janë bërë shumë gabime nga arbitrat. Do uroja që këto gabime të jenë dhe më të pakta në vazhdim. Shpresoj që të kemi mirëkuptimin e të gjithë aktorëve, sepse të vetëm nuk ia dalim dot”-përfundon Jorgji./telesport/