Sporti shqiptar dhe jo vetëm është në ditë të vështira për shkak të situatës së krijuar nga Coronavirusi. Prej më shumë se 3 javësh, futbolli është pezulluar. Si të mos mjaftonte kjo, qeveria shqiptare nuk i erdhi në ndihmë asnjërës nga Federatat duke i lënë në mëshirë të fatit.
Reagimet kanë qenë të shumta, nga presidenti i FSHF-së, zyrtarë të tjerë e së fundmi nga një arbitër i njohur. Bëhet fjalë për Albano Stolajn i cili kryesisht gjykon vetëm në ligat inferiore.
Ai ka publikuar një foto ku ministra dhe ish-ministra zhvilluan një ndeshje bamirësie vite më parë në “Selman Stërmasi”. Në tapetin e impiantit bardheblu ndodhen disa zyrtarë të kabinetit qeveritar, ndërsa në sy bie ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
50-vjeçari shfaqet duke kapur organet gjenitale me dorë ndërsa Stolaj nuk ka ngurruar duke e krahasuar gjendjen aktuale me veprimin e tij.
“Në këto ditë të vështira, sporti ka ngel në dorë të këtyre me topat në dorë”, shkruan ai duke ironizuar gjestikulacionin e Ahmetajt por edhe qeverinë shqiptare që i ktheu shpinën futbollit në këto ditë të vështira prej pandemisë globale./newsport/