Arbitrim skandaloz është vlerësuar të jetë bërë në duelin e djeshëm Kharkiv-Vllaznia në UEFA Women Champions League nga njohës të futbollit, por edhe nga vetë skuadra shkodrane. Kjo për faktin se Vllaznia shënoi në minutën e 34-të, por që u anullua dhe që do të mund të kishte rol vendimtar në ndeshjen e kthimit.
Në minutën e 34-të, sulmuesja amerikane e skuadrës shkodrane, Patterson, shënoi dhe rezultati i ndeshjes do të mund të ishte ndryshe në fund. Në fakt, në momentin e nisjes së topit, duket qartë se Patterson është në pozicion të rregullt, por çuditërisht u anullua si gol.
As gjyqtarja kryesore dhe as gjyqtarja anësore nuk e panë një gjë të tillë. Fatkeqësisht, nuk pati as teknologji në këtë ndeshje, teksa në këtë fazë të takimeve, nuk ka VAR dhe gjithçka duhet të shikohet nga sytë e gjyqtarëve.
Arbot
Kujtojmë që, gjyqtarja u kontestua shumë gjatë ndeshjes për disa episode të dyshimta dhe poashtu vendime të dyshimta. Në këtë sfidë, u dha edhe një karton i kuq për një nga pjesëtarët e stafit të Vllaznisë. Më konkretisht, për video-analistin e klubit shkodran, Oliver Matija, i cili me të drejtë kishte kontestimet e tij ndaj gjyqtares kryesore.
Në fund, ekipi ukrainas i Vorskla Kharkiv dhe Vllaznia janë ndarë në barazim 1-1 në ndeshjen e parë, teksa golin e vetëm për ekipin shkodran e shënoi Megi Doçi.
Megjithatë, kualifikimi do të vendoset në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet përsëri në stadiumin “Loro Boriçi” dhe ndoshta arbitrimi skandaloz në ndeshjen e parë, mund t’i motivojë vajzat e Vllaznisë që në ndeshjen e dytë t’ia dalin, pse jo…
Maringlen ZHIVANI